Agjensia Shqiptare e Zhvillimit te Investimeve         
    Home » Regjistrimi & Liçensimi

Regjistrimi & Liçensimi

REGJISTRIMI I SHOQËRIVE TREGTARE DHE LIÇENCIMI I BIZNESIT

Dy iniciativa të një rëndësie të veçantë, të ndërmarra nga. Qeveria Shqiptare, të cilat synojnë krijimin e një klime të favorshme pro-biznes janë: krijimi i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR) dhe krijimi i Qendrës Kombëtare të Liçencimit (QKL). Legjislacioni në fushën e regjistrimit dhe liçencimit të biznesit është në harmoni me standartet e parashikuar nga BE, me fokus primar reduktimin e barrierave administrative për bizneset të cilat operojnë në Shqipëri.

  • Regjistrimi i Shoqërive Tregtare

 Ligji nr. 9901 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” hyri në fuqi më datë 21.05.2008. Ky ligj rregullon statusin e tregtarit, themelimin dhe administrimin e shoqërive tregtare, të drejtat dhe detyrimet e themeluesve, të ortakëve dhe aksionarëve dhe riorganizimin dhe likuidimin e shoqërive tregtare.

Sipas këtij ligji, shoqëritë tregtare janë:

  • -         Në Kodin Civil parashikohet dhe një lloj tjetër shoqërie, shoqëria e thjeshtë, e cila krijohet nga dy ose më shumë persona qofshin këta individë dhe/ose persona juridikë, të huaj ose vendas, të cilët hyjnë në një marrëveshje midis tyre për të kryer një aktivitet ekonomik, me qëllim ndarjen e fitimeve që rrjedhin prej tij.
  • -          Shoqëritë kolektive – Një shoqëri është shoqëri kolektive nëse regjistrohet si e tillë, e kryen veprimtarinë tregtare nën një emër të përbashkët dhe përgjegjësia e ortakëve përpara kreditorëve është e pakufizuar.
  • -          Shoqëri komandite - Shoqëri komandite është shoqëria, në të cilën përgjegjësia e të paktën njërit prej ortakëve është e kufizuar deri në vlerën e kontributit të tij, ndërsa përgjegjësia e ortakëve të tjerë nuk është e kufizuar. Ortaku i pakufizuar ka statusin e ortakut të shoqërisë kolektive.
  • -          Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuara - Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar është një shoqëri tregtare, e themeluar nga persona fizikë ose juridikë, të cilët nuk përgjigjen për detyrimet e shoqërisë tregtare dhe mbulojnë personalisht humbjet e shoqërisë deri në pjesën e pashlyer të kontributeve të nënshkruara. Kontributet e ortakëve përbëjnë kapitalin e regjistruar të shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar.
  • -          Shoqëria aksionare – Shoqëria aksionare është një shoqëri tregtare, kapitali i së cilës është i ndarë në aksione të nënshkruara nga themeluesit. Themeluesit janë persona fizikë ose juridikë, të cilët nuk përgjigjen personalisht për detyrimet e shoqërisë e që mbulojnë humbjet e saj vetëm me vlerën e pashlyer të aksioneve të nënshkruara.
  • -          Degët dhe zyrat e përfaqësimit - Personat përgjegjës për administrimin e shoqërisë mund të vendosin hapjen e degëve dhe/ose të zyrave të përfaqësimit të shoqërisë.
  • -          Degët - janë vende të ushtrimit të veprimtarisë tregtare dhe kanë të njëjtin personalitet juridik me shoqërinë. Ato veprojnë në mënyrë të qëndrueshme, organizohen dhe administrohen më vete dhe ushtrojnë veprimtari me palë të treta, në emër të shoqërisë.
  • -          Zyrat e përfaqësimit - janë vende të veprimtarisë tregtare të shoqërisë dhe
  • kanë të njëjtin personalitet juridik me shoqërinë. Zyrat e përfaqësimit nuk kanë si qëllim krijimin e të ardhurave, por nxitjen e veprimtarisë së shoqërisë. Këto zyra mund të lidhin marrëveshje në emër e për llogari të saj.

Referuar ligjit nr. 9723, datë 03.05.2007, “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR)” i ndryshuar, regjistrimi i shoqërive tregtare në Shqipëri bëhet nëpërmjet QKR-së. QKR-ja gëzon statusin e institucionit publik, me personalitet juridik, në varësi të ministrit që mbulon çështjet e tregtisë, me seli qendrore në Tiranë.

Detyrimi për regjistrim

Subjektet që detyrohen të regjistrohen në regjistrin tregtar janë:

  • a)      personat fizikë, që ushtrojnë veprimtari ekonomike tregtare;
  • b)      shoqëritë e thjeshta sipas dispozitave të Kodit Civil;
  • c)      shoqëritë tregtare;
  • d)     degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja;
  • e)      shoqëritë dhe unionet e kursim-kreditit;
  • f)       shoqëritë e bashkëpunimit të ndërsjellë;
  • g)      çdo subjekt tjetër, për të cilin parashikohet detyrimi për regjistrim, në bazë të legjislacionit shqiptar.

 Regjistrimi në QKR

Aplikimi për regjistrim fillestar të nje biznesi mundësohet brenda 24 orëve me një kosto prej 100 Lekë. Regjistrimi fillestar dhe çdo regjistrim tjetër bëhet me aplikim pranë çdo sporteli shërbimi të QKR-së, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht vendit të ushtrimit të veprimtarisë, vendbanimit apo selisë së aplikantit. Aplikimi për regjistrim mund të kryhet edhe në mënyrë elektronike, në përputhje me legjislacionin për nënshkrimin elektronik.

QKR, nëpërmjet aplikimit të proçedurës së regjistrimit të iniciuar nga subjekti tregtar i interesuar, jo vetëm mundëson regjistrimin në Regjistrin Tregtar por njëkohësisht mundëson dhe regjistrimin respektiv në autoritetet kompetente për taksat, sigurimet shoqërore e shëndetësore dhe Inspektoriatin e Punës.

Për më tepër, aplikohet parimi i “miratimit në heshtje”. Në rastin kur QKR-ja, brenda afatit një ditor, nuk kryen regjistrimin, nuk njofton pezullimin e aplikimit apo nuk njofton refuzimin, atëherë aplikimi për regjistrim quhet i pranuar menjëherë.

Dokumentacioni i kërkuar për regjistrim fillestar në QKR

Për të bërë një regjistrim fillestar në QKR kërkohet dokumentacioni i mëposhtëm:

1.    Kërkesa për aplikim
2.    Dokumentacioni shoqëruesPër të bërë regjistrimin fillestar, aplikanti plotëson kërkesën për aplikim. Forma e kërkesës për aplikim ndryshon në varësi të llojit të subjektit tregtar. Kërkesa për aplikim dhe udhëzimet për plotësimin e saj mundësohen nga çdo sportel shërbimi i QKR-së ose mund të aksesohen në faqen zyrtare të QKR-së. Aplikanti mund të plotësojë kërkesën për aplikim në çdo sportel shërbimi të QKR me asistencën e nëpunësit të sportelit të shërbimit nëse është e nevojshme, ose nëpërmjet internetit duke përdorur funksionin e “aplikimit on-line”.

  • -      Dokumenti origjinal personal i identifikimit (ID Kartë), të cilin, nëpunësi i sportelit të shërbimit pasi e skanon dhe kopjon e kthen mbrapsht
  • -      Dokumenta të tjerë shoqëruese specifike në varësi të formës së subjektit tregtar. Aplikantit i mundësohet kjo listë bashkëlidhur kërkesës respektive për aplikim.

Për informacion më të detajuar rreth Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, ju lutemi

referojuni faqes zyrtare të QKR www.qkr.gov.al ku publiku gëzon akses të plotë.

  • Liçencimi i biznesit 

Bazuar ligjin nr. 10081, datë 23.02.2009, i cili rregullon proçedurat e liçencimit në Shqipëri, Qendra Kombëtare e Liçencimit (QKL) ka filluar aktivitetin e saj si institucion publik në varësi të ministrit që mbulon çështjet e ekonomisë, që në qershor 2009. Ky ligj ka për qëllim përmirësimin e klimës së biznesit, nëpërmjet reduktimit të barrierave administrative ndaj nismës së lirë në kryerjen e veprimtarive ekonomike, tregtare apo profesionale, ose përdorimin e të mirave publike, duke garantuar, njëkohësisht, mbrojtjen e interesit publik në ushtrimin e këtyre veprimtarive dhe në përdorimin e të mirave publike.

Nëpërmjet aplikimit me një ndalesë dhe proçedurave të shkurtuara dhe transparente, QKL ka reduktuar barrierat administrative dhe koston e biznesit sa i përket proçedurave të liçencimit/lejimit, ashtu sikundër ka minimizuar nivelin e informalitetit duke siguruar në këtë mënyrë një klimë të favorshme pro-biznes në Shqipëri.

Liçencat dhe Lejet dhe/ose nënkategoritë respektive të tyre, të cilat trajtohen nga/apo nëpërmjet QKL, ndahen në tre grupe:

Grupi i parë përfshin ato kategori ose nënkategori, për të cilat vlerësimi i përmbushjes së kritereve bazohet vetëm në vetëdeklarimet e kërkuesit;

Grupi i dytë përfshin ato kategori ose nënkategori, për të cilat vlerësimi i përmbushjes së kritereve, përveçse në vetëdeklarimet e kërkuesit, bazohet, për të paktën njërin nga kushtet edhe në dokumentet provuese, të paraqitura nga kërkuesi.

Grupi i tretë përfshin ato kategori ose nënkategori, për të cilat, përveç sa parashikohet në pikat 2 e 3 të këtij neni, vlerësimi i përmbushjes së kritereve, për të paktën njërin prej tyre, bazohet edhe në kryerjen e një proçesi inspektimi, testimi, gare, interviste, dëgjimi apo metode tjetër vlerësimi.

Në varësi të natyrës së lejes dhe/ose liçencës, jo të gjitha prej tyre janë subjekt trajtimi nga QKL. Si rregull i përgjithshëm, kërkesat për aplikim për pajisjen me një autorizim, shqyrtohen eksluzivisht nga autoriteti publik cili e gëzon këtë kompetencë, pa përfshirjen e QKL-së. Autorizimi mund të bëhet nëpërmjet QKL-së vetëm në rastin e liçencave të grupit III, si dhe vetëm kur kushtet e autorizimit përkojnë me një apo disa nga kriteret e liçencimit.

Legjislacioni i liçencave parashikon 12 fusha të ndryshme liçencimi/lejimi, ku vetëm disa prej tyre trajtohen nga/ose nëprëmjet QKL-së. Sistemi i liçencimit/lejimit për fushat që ngelen pa përfshirjen e QKL rregullohet nga legjislacioni respektiv sektorial. Më konkretisht, fushat për të cilat pajisja me liçencë/leje, bazohet në legjsilacion sektorial janë :

  • -          Shërbimi bankar financiar;
  • -          Shërbimi bankar jo-financiar;
  • -          Telekomunikacioni;
  • -          Shërbimet në sektorin e energjisë (prodhimi, transmetimi, shpërndarja etj.);
  • -          Hidrokarburet;
  • -          Shërbimet portuale, hekurudhore dhe aeroportuale;
  • -          Lojrat e fatit;
  • -          Shërbimi postar;
  • -          Konçesionet.

Aplikimi në QKL

Kërkesat për aplikim për leje dhe/ose liçencë, apo për nënkategoritë respektive të tyre paraqiten pranë çdo sporteli shërbimi të QKL, në selinë qendrore në Tiranë ose në sportelet e shërbimit të cilat gjenden pranë zyrave të pushtetit vendor në rrethe. Kosto e paraqitjes së kërkesës për aplikim është 100 Lekë. Kërkesa për aplikim paraqitet në çdo sportel shërbimi, pavarsisht vendodhjes së ushtrimit të aktivitetit të aplikantit.

Kërkesa për aplikim përbëhet nga formulari tip i plotësuar dhe dokumentet shoqëruese dhe provuese përkatëse. Aplikanti ose një person i autorizuar prej tij mund të paraqesin kërkesën për aplikim në sportelin e shërbimit të QKL. QKL-ja nuk mund të kërkojë paraqitjen e dokumenteve apo dhënien e informacioneve të tjera, të paparashikuara në formularin e kërkesës për aplikim.

QKL-ja merr në shqyrtim kërkesat për aplikim sipas radhës së paraqitjes së tyre dhe merr vendim në një afat prej 2 ditësh pune për kërkesat e grupit të parë dhe 4 ditësh pune për kërkesat e grupit të dytë. Përsa i përket liçencave të grupit të tretë, QKL-ja i merr në shyrtim parprak duke vlerësuar vetëm kriteret në kompetencë të saj dhe në rast se nuk konstaton arsye refuzimi, QKL-ja publikon në regjistër vendimin paraprak të kalimit në fazën e dytë të shqyrtimit dhe njofton, në mënyrë elektronike, institucionet e tjera, që shqyrtojnë përmbushjen e një apo të disa kritereve të liçencimit/lejimit, në kompetencë të tyre.

Proçedurat për trajtimin e lejeve/liçencave/autorizimeve bazohen në:

Vetëdeklarimet e kërkuesit; dokumentacionin e lëshuar nga institucione të tjera vendimarrëse publike dhe ose private (grupi I dhe II i liçencave); ashtu si dhe në proçedurat e inspektimit paraprak, testimit, garimit, intervistimit apo dëgjimit, ose duke zbatuar metoda të tjera të përcaktuara nga institucionet e tjera me kompetenca vendimarrëse (grupi III i liçencimit).

Proçedurat për trajtimin e kërkesave për licenca, autorizime e leje janë të qarta, të thjeshta, transparente dhe mbështeten në:

  • a)      parimin e miratimit në heshtje;
  • b)      mjetet elektronike të informimit e të komunikimit, përfshirë aplikimin on line;
  • c)      modelin e qendrës me një ndalesë;
  • d)     shkëmbimin e integruar të informacionit e të dokumentacionit ndërmjet organeve publike.

Për informacion më të detajuar rreth Qendrës Kombëtare të Liçencimit, ju lutemi referojuni faqes zyrtare të QKL www.qkl.gov.al.

Comments are closed.




Te gjitha te drejtat e rezervuara. © 2012 Agjencia Shqiptare e Zhvillimit te Investimeve
Blv.Gjergj Fishta, Pall.Shallvare, Tirane, Tel: +355 (0) 42251001
e-mail: info@aida.gov.al, www.aida.gov.al
Jonian Gjermani Shakespeare Quotes What is ADHD Swag Quotes Lorazepam Side Effects Be Creative