Investime të huaja direkte

Shqipëria ofon një kuadër ligjor mjaft miqësor sa i takon investimeve të huaja. Ligji “Për investimet e Huaja” mbështetet mbi parimet e barazisë, mosdiskriminimit dhe mbrojtjes së investitorëve. Sipas këtij ligji :

  • Nuk ka nevojë për autorizim paraprak për të huajt që të hapin një biznes në Shqipëri;
  • Është e mundur pronësia 100% e huaj në një ndërmarrje;
  • Investitorët e huaj kanë të drejtë për të riatdhesuar të gjitha fondet dhe kontributet në natyrë të investimeve të tyre;
  • Investitorët trajtohen bazuar në kushte jo më pak të favorshme se ato të parashikuara për investime vendase në rrethana të ngjashme, përveç pronësisë së tokës, e cila rregullohet me ligj të veçantë;
  • Në çdo rast, investimet e huaja kanë trajtim jo më pak të favorshëm se ai i parashikuar nga normat e pranuara përgjithësisht të së drejtës ndërkombëtare;
  • Një kompani me pjesëmarrje të investimeve të huaja ka të drejtë të punësojë edhe shtetas të huaj;
  • Prona private dhe investimet mbrohen me ligj nga shpronësimi apo nga masa me efekt të ngjashëm, me përjashtim të rasteve, kur shpronësimi kryhet për një qëllim publik;
  • Në të gjitha rastet dhe në çdo kohë investimet kanë trajtim të barabartë e të paanshëm, gëzojnë mbrojtje e siguri të plotë.

Fluksi i IHD

Flukset e investimeve të huaja direkte kanë mbështetur ekonominë vendase në mënyrë të qëndrueshme.

Në vitin 2018, investimet e huaja u konsideruan si katalizatorët kryesore të rritjes ekonomike, duke qenë se fluksi i IHD-ve arriti 1 miliardë euro. Ndërkohë krahasuar me vitin 2017, fluksi i IHD-ve ka pësuar rritje me 13.7%. Sektori i energjisë kryesoi me fluksin më të madh të investimeve (46%), ndjekur nga industria nxjerrëse me 17%. Sipas shteteve fluksi më i madh erdhi nga Zvicra (36%) ndjekur nga Hollanda me 18%.

(milionë euro)

VITI 2014 2015 2016 2017 2018
Fluksi FDI 869 890 936 899 1,022

Burimi: Banka e Shqipërisë

Stoku i Investimeve të Huaja Direkte,

Në vitin 2018  arriti në vlerën 7.6 miliardë euro dhe ka pësuar  rritje me 18,7 %, në krahasim me 2017. Pjesën më të madhe të stokut e zënë investimet në sektorin e energjisë me 27% ndjekur nga sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit me 15%.

Sipas shteteve pjesën më të madhe të stokut e zenë investimet Zviceriane më 17% ndjekur nga ato Greke me 16 % dhe Hollandeze me 14%.

(Milione euro)

Viti 2014 2015 2016 2017 2018
Stoku FDI 4,564 4,982 5,677 6,453 7,661

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

Qeveria e Shqipërisë, në përputhje me angazhimet në kuadër të procesit të aderimit në Bashkimin Evropian, ka miratuar dhe zbatuar politika të orientuara drejt krijimit të një ekonomie të strukturuar të tregut, të aftë për të përballuar presionet konkurruese dhe forcat e tregut, pasi Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Politikat qeveritare janë integruar në Strategjinë e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve 2014-2020. Kjo strategji është në përputhje me politikën industriale të BE-së, siç pasqyrohet nga dokumenti “Evropa 2020” dhe strategjia “Evropa Juglindore 2020”.

Objektivat e treguara në strategji në lidhje me Investimet e Huaja Direkte (IHD) janë:

  • Të mbahet një nivel të lartë të IHD-ve;
  • Të arrihet qëndrueshmëri afatgjatë e investimeve duke promovuar riinvestimin dhe zgjerimin e investimeve ekzistuese;
  • Të rritet pjesa e investimeve “greenfield” dhe investimet e orientuara drejt eksportit;
  • Të rritet pjesa e investimeve me vlerë të shtuar dhe të teknologjisë së lartë.

Shtyllat kryesore të strategjisë janë:

  1. Një fokus i ri në politika i orientuara drejt klimës së biznesit dhe NVM-ve;
  2. Politika industriale;
  3. Integrimi i tregtisë dhe zhvillimi i eksportit;
  4. Promovimi i IHD-ve

Strategjia promovon zhvillimin e një sektori industrial produktiv, të aftë për përpunimin e lëndëve të para në vend dhe rritjen e vlerës së shtuar përgjatë zinxhirit të vlerës duke stimuluar investimet në këtë fushë, aplikimin e teknologjive të reja, prodhimin e pastër dhe rritjen e profesionalizmit që përbëjnë themelin e një industrie konkurruese.

MAP REA

Në kontekstin e procesit të Berlinit dhe Samitit të Triestes gjashtë, kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë rënë dakord të kenë një qasje të përbashkët për të çuar më tej bashkëpunimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor. Plani shumëvjecar i Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale (MAP REA) parashtron një axhendë të strukturuar për integrimin ekonomik rajonal që promovon integrimin e mëtejshëm të tregtisë, prezantimin e një hapësire dinamike të investimeve rajonale, lehtësimin e lëvizshmërisë rajonale dhe krijimin e një axhende të integrimit dixhital. MAP buron nga angazhimet e ndërmarra në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe Strategjisë së Evropës Juglindore 2020 (SEE2020) dhe bazohet në rregullat dhe parimet e CEFTA-së dhe BE-së, të pasqyruara në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA).

Zbatimi i veprimeve të listuara në MAP do të mundësojë qarkullim pa pengesa të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe punës të kualifikuar, duke e bërë rajonin më tërheqës për investime dhe tregti, duke përshpejtuar konvergjencën me BE-në dhe duke sjellë begati për të gjithë qytetarët e saj. Zona Ekonomike Rajonale bazohet në parimet e mosdiskriminimit, duke krijuar një lojë të barabartë për të gjithë brenda rajonit.

Një nga shtyllat e MAP është shtylla e Investimeve. Ekziston një potencial i konsiderueshëm për të nxitur integrimin rajonal ekonomik në Ballkanin Perëndimor, përmes zhvillimit të axhendës Rajonale të reformës së investimeve. Heqja e barrierave për investimet rajonale ofron mundësinë për ekonomitë e shkallës, biznese të larmishëm gjeografikisht dhe një shpërndarje të përgjithshme më të efektshme të burimeve brenda një tregu rajonal, duke nxitur kështu integrimin e kompanive nga rajoni në zinxhirët e vlerës ndërkombëtare.

Inventari i nxitësve të investimeve në Shqipëri

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, për t’i ardhur në ndihmë palëve të interesit, ka hartuar një inventar të nxitësve të investimeve në vendin tonë.

Në këtë përmbledhje do të gjeni informacion me të​ gjitha incentivat e ndërmarra nga Qeveria Shqiptare në mbështetje të biznesit vendas dhe të huaj dhe në nxitjen e investimeve në Shqipëri.

Disa nga këto incentiva të mbështetura dhe me një shembull ilustrues janë: Përfitimi i tokës nëpërmjet “Kontratës simbolike 1 Euro”, Zonat e Zhvillimit Teknologjik dhe Ekonomik-TEDA, Ulja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për aktivitetet e agroturizmit, Reduktimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për shërbimet e reklamimit nga media audiovizive, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) e reduktuar për furnizimin me libra, Ulja e Taksës mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për Automjetet e Mëdha Elektrike, Përjashtimi nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar(TVSH) për makineri bujqësore, Përjashtimi nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për inputet bujqësore dhe veterinare, Përjashtimi nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për Importet Farmaceutike për Prodhimin e Barnave ne Vend, Përjashtimi nga Taksat e Vlerës së Shtuar (TVSH), për përpunimin e mallrave, Reduktimi i taksës mbi fitimit për veprimtaritë e prodhim zhvillimit të software, Ulje Takses së fitimit për Prodhuesit Bujqësorë, Taksë e ulët fitimi për aktivitetet “Agroturizëm”, etj.

Për t’u njohur me të gjithë inventarin e nxitësve të investimeve në Shqipëri, vizitoni linkun në vijim: ​http://aida.gov.al/wp-content/uploads/pdf/Inventari_i_nxitesve_te_investimeve_ne_Shqiperi.pdf

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve
Tiranë, 14.04.2020