Slider

Fondet e AIDA-s

Qeveria Shqiptare në mbështetje të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së tyre, forcimin e kapaciteteve prodhuese dhe zgjerimin e tregut të tyre, ka vënë në dispozicion këto skema financiare, të menaxhuara nëpërmjet AIDA-s:

Fondet e AIDA-s

Qeveria Shqiptare në mbështetje të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së tyre, forcimin e kapaciteteve prodhuese dhe zgjerimin e tregut të tyre, ka vënë në dispozicion këto skema financiare, të menaxhuara nëpërmjet AIDA-s:

 

Fondi i Konkurrueshmërisë

Fondi i Konkurueshmërisë është miratuar me VKM-në nr. 24, dt. 20.01.2016 “Për krijimin e fondit shqiptar të konkurueshmërisë”. Ky fond ka për qëllim të mbështesë dhe të përmirësojë kapacitetet e NVM-ve shqiptare në mënyrë që ato të jenë në gjendje t’u përgjigjen kërkesave të tregut ndërkombëtar, si dhe të rrisin punësimin.

Për të dëshmuar këtë angazhim, Qeveria Shqiptare për vitin 2019 ka parashikuar një fond total prej 28,000,000 lekë, për të financuar një skemë granti për ndarje të kostove, në ndihmë të NVM-ve dhe përpjekjeve të tyre për të konkurruar në tregun e huaj.

Objektivi i kësaj iniciative është të ndihmojë kompanitë shqiptare të depërtojnë me eksportet e tyre në tregjet e huaja, duke siguruar mbështetjen e nevojshme financiare për aktivitete që do të ndihmojnë në zbatimin e planit të tyre të marketingut për eksport.

Ndërmarrjet që do të ndihmohen me anë të këtij fondi janë, Ndërmarrje Mikro, të Vogla ose të mesme me fokus eksportet.

Fushat kryesore që mbulon fondi janë prodhimi dhe shërbimi, më konkretisht:

  • Sektori i industrisë së përpunimit aktiv (fasonët).
  • Sektori i industrisë së lehtë.
  • Sektori i agropërpunimit.
  • Sektori i kërkimit dhe zhvillimit.

Skema ofron subvencionim për kosto që kanë të bëjnë me aktivitete të miratuara mbi bazën e ndarjes së kostove. Kjo nënkupton se granti nuk financon gjithë kostot, por vetëm një pjesë të tyre, ndërkohë që pjesa tjetër financohet nga përfituesi i grantit (në këtë rast, shoqëria shqiptare).

Për t’u njohur me kriteret e aplikimit, si dhe me dokumentacionin e nevojshëm, klikoni në:

VKM për Fondin e Konkurueshmerise nr. 24, datë 20.1.2016 PDF, AIDA

Urdhri për miratimin e rregullores nga MFE-2019PDF, AIDA

Rregullore e Fondit të Konkurrueshmërisë – 2019 PDF, AIDA

Formular Aplikimi – Fondi i Konkurrueshmërisë PDF, AIDA

Formular standard lidhur me kriteret e përjashtimit PDF, AIDA

 

Fondi i Ekonomisë Kreative

Fondi i Ekonomisë Kreative është miratuar me VKM-në nr.15, datë 11.1.2017 “Për krijimin e Fondit të Ekonomisë Kreative (artizanatit)”.

Qëllimi i fondit është zhvillimi i sektorit të artizanatit dhe zejtarisë në Shqipëri, duke krijuar një mjedis të favorshëm për aktivitete më të qëndrueshme ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Qeveria Shqiptare ka planifikuar, për vitin 2017-2019, një fond prej 30,000,000 lekë, ku për secilin vit buxheti i miratuar do të jetë 10,000,000 lekë.

Fondi i Ekonomisë Kreative është krijuar për t’i shërbyer Ndërmarrjeve Mikro dhe të Vogla që ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorin e artizanatit.

Projektet që përzgjidhen nga sektori i artizanatit mbulojnë fushat e mëposhtme:

  • Zhvillimi i produkteve të reja.
  • Blerja e pajisjeve për nxitjen e prodhimit.
  • Marketingun e produktit.
  • Kualifikimin dhe ndërtimin e kapaciteteve menaxheriale të ndërmarrjes aplikuese.

Fondi ofron subvencionim për shpenzime që kanë të bëjnë me aktivitete të miratuara mbi bazën e ndarjes së shpenzimeve. Kjo nënkupton se granti nuk financon gjithë shpenzimet, por vetëm një pjesë të tyre, ndërkohë që pjesa tjetër financohet nga përfituesi i grantit (në këtë rast ndërmarrja shqiptare).

Për t’u njohur me kriteret e aplikimit për përfitimin e grantit si dhe për dokumentacionin e nevojshëm klikoni në linkun e mëposhtëm:

VKM Fondi i Artizanatit 2017 PDF, AIDA

Rregullorja e Artizanatit miratuar me nr.1337 dt.21.4.2017 PDF, AIDA

Formulari i Aplikimit për Fondin e Ekonomisë Kreative PDF, AIDA

Formular Standard Lidhur me Kriteret e Përjashtimit PDF, AIDA

 

Fondi në Mbështetje të Sipërmarrjeve të Reja “Start-Up”

Fondi në mbështetje të sipërmarrjeve të reja “Start-Up” është miratuar me VKM-në, nr. 593, datë 10.9.2014, “Për krijimin e fondit në mbështetje të sipërmarrjeve të reja “Start-Up”.

Ky fond ka për qëllim të mbështesë bizneset e sapo krijuara “Start-Up” në Shqipëri, nëpërmjet subvencionimit financiar të drejtpërdrejtë, për këtë kategori biznesi, duke përmirësuar klimën dhe kushtet operuese të tyre, me synim krijimin e bazave për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Fondi “Start-Up” jep grante deri në 500.000 (pesëqind mijë) lekë për projekt dhe mbulon 70% të kostove të angazhuara. Buxheti i miratuar për këtë fond, për vitin 2019 është 10,000, 000 lekë.

Fondi në mbështetje të sipërmarrjeve të reja “Start-Up” është krijuar për t’i shërbyer Ndërmarrjeve Mikro dhe të Vogla që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në:

  • Sektorët prodhues dhe të shërbimit.
  • Sektorin e industrisë së lehtë.
  • Sektorin e turizmit.
  • Fushën e kërkimit dhe të zhvillimit.
  • Procesin e agropërpunimit.
  • Fushën e dizajnimit, modelimit, artizanatit.

Fondi ofron subvencionim për shpenzime që kanë të bëjnë me aktivitete të miratuara mbi bazën e ndarjes së shpenzimeve. Kjo nënkupton se granti nuk financon gjithë shpenzimet, por vetëm një pjesë të tyre dhe pjesa tjetër financohet nga përfituesi i grantit (në këtë rast ndërmarrja shqiptare).

Për t’u njohur me kriteret e aplikimit për përfitimin e grantit, si dhe për dokumentacionin e nevojshëm klikoni në:

Vendim i Fondit të Start-Up 2018-2020 PDF, AIDA

Urdhri i Fondit Start-Up 2017 PDF, AIDA

Rregullore e Fondit Start-Up PDF, AIDA

Formulari i Aplikimit Start-Up PDF, AIDA

Formular standarde lidhur me kriteret e përjashtimit Start-Up PDF, AIDA

 

Fondi i Inovacionit

Fondi i Inovacionit u jep ndihmë në formë granti të drejtpërdrejtë Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme. Granti nuk financon gjithë kostot, por vetëm një pjesë të tyre, ndërkohë që pjesa tjetër financohet nga përfituesi i grantit (në këtë rast, ndërmarrja shqiptare).

AIDA do të publikojë gjendjen e disponueshmërisë së fondeve të skemës së granteve kur të shihet e përshtatshme dhe në periudhat e hapjes apo mbylljes së dorëzimit të aplikimeve.

Qëllimi i këtij fondi është t’i shtohet buxhetit të ndërmarrjes, duke shërbyer si një nxitje për NVM-të për të audituar nevojat e tyre për inovacion dhe teknologji, për të identifikuar furnizues teknologjie dhe partnerë në shtete të tjera, të ndihmojë dhe lehtësojë promovimin dhe licencimin apo patentimin e inovacioneve të NVM-ve, duke bërë të mundur që NVM-të përfituese të arrijnë më shumë nga sa ato do të mund të arrinin vetëm me mjetet e tyre.

Fondi i Inovacionit mund të ketë si burim financimi dhe të ardhura nga donatorë apo institucione ndërkombëtare. Në këtë rast, rregullat për përfitimin nga fondi do të vendosen në marrëveshje midis AIDA-s dhe donatorëve apo institucioneve ndërkombëtare.

Financimi maksimal

Fondi do të rimbursojë kostot e miratuara në përputhje me udhëzimet e mëposhtme:

  • Një ndërmarrje mund të përfitojë maksimalisht 400,000 lekë për një projekt. Për ndërmarrjet që do të aplikojnë për “blerje pajisjesh teknologjike” financimi do të jetë jo më shumë se 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë.
  • Skema mbulon 50% të kostove të pranuara brenda limitit të mësipërm. Përfitimi i ndërmarrjeve nga mbështetja e programeve apo projekteve për mbulimin e 50% të shpenzimeve të tjera të projektit, që nuk mbulohen nga Fondi i Inovacionit, duke përdorur fonde nga donatorët apo institucione financiare ndërkombëtare, nuk përbën pengesë për përfitim edhe nga Fondi i Inovacionit për të njëjtin projekt.
  • Pagesa e fondit të përfituar bëhet 50% në fillim të projektit dhe 50% në përfundim të projektit, kundrejt faturës/faturave e cila/të cilat, vërteton/vërtetojnë shpenzimet e kryera që do të dorëzohen në përfundim të projektit.
  • Në një vit, mund të asistohet 1 projekt për çdo ndërmarrje.
  • Pranimi i aplikimeve është subjekt i disponueshmërisë së fondit dhe mund të pezullohet në çdo kohë, në rast se fondi ka mbaruar.
  • AIDA në faqen e saj të internetit do të publikojë gjendjen e disponueshmërisë së Fondit të Inovacionit.

Kush mund të aplikojë për një grant të tillë?

Fondi i Inovacionit është hartuar për t’i shërbyer Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme.

Kompanitë që do të përfitojnë do të duhet të përmbushin kriteret e mëposhtme:

1. Përshtatshmëria e biznesit me skemën e grantit:

  • Aftësi për financim 100% të gjitha kostove të projektit të propozuar, para përfundimit të tij.
  • Biznes i klasifikuar si mikro, i vogël, apo i mesëm sipas ligjit nr. 8957, datë 17.10.2002, “Për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme”, i ndryshuar.
  • Ka selinë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
  1. Përshtatshmëria e projektit me skemën e grantit:
  • Prodhon në Shqipëri produkte dhe/apo shërbime, të cilat tregtohen brenda dhe/apo jashtë vendit.
  • Kanë një projekt në përputhje me përcaktimet e VKM-së nr. 211, datë 20.04.2018.

Çfarë mund të financohet?

Fondi mbulon kostot për aktivitetet e mëposhtme:

  • Auditim të kapacitetit inovativ dhe teknologjik, që synon t’u mundësojë ndërmarrjeve aplikante vlerësimin për nivelin ekzistues të teknologjisë dhe mundësitë për rinovimin e tyre të inovacionit dhe/ose pozicionimit teknologjik, sipas një strukture konkurruese zhvillimi.
  • Ndërkombëtarizimin e teknologjisë, e cila synon t’u mundësojë ndërmarrjeve aplikante të identifikojnë dhe të inspektojnë teknologjinë që kërkojnë të përshtatin.
  • Pjesëmarrje në panaire inovacioni, teknologjie dhe promovimi, në lidhje me inovacione të ndërmarrjes.
  • Blerje pajisjesh teknologjike, që ndikojnë në rritjen e kapaciteteve inovative dhe teknologjike të ndërmarrjes.
  • Licenca ose patenta (software ose hardware)

Për t’u njohur me kriteret e aplikimit, si dhe me dokumentacionin e nevojshëm klikoni, në:

VKM Fondi i Inovacionit 2018-2020 PDF, AIDA

Urdhri i Fondit të Inovacionit 2017 PDF, AIDA

Rregullore e Fondit të Inovacionit PDF, AIDA

Formular Aplikimi – Fondi i Inovacionit PDF, AIDA

Formular standard lidhur me kriteret e përjashtimit FI për inovacionin PDF, AIDA 

Fondet e mësipërme kanë qenë aktivë deri në vitin 2019. AIDA do të njoftojë Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, menjëherë pas bërjes aktive dhe vënies në dispozicion të fondeve të reja.