Taksat

Sistemi tatimor në Republikën e Shqipërisë përbëhet nga një paketë ligjesh, udhëzimesh, rregulloresh, marrëveshjesh tatimore me vendet e tjera, në të cilat gjejnë pasqyrim llojet e tatimeve dhe taksave që aplikohen në Shqipëri, nivelet e tyre, procedurat për vendosjen, ndryshimin dhe heqjen e tatimeve, procedurat e vlerësimit dhe mbledhjes së detyrimeve tatimore, si dhe format dhe metodat e kontrollit tatimor.

Legjislacioni shqiptar parashikon taksat dhe tatimet kryesore si më poshtë:

  • Tatimi mbi fitimin e korporatave
  • Tatimi i thjeshtuar mbi biznesin e vogël
  • Tatimi mbi të ardhurat personale
  • Tatimi mbi vlerën e shtuar
  • Tatimi në burim
  • Taksa e akcizës
  • Taksat vendore
  • Taksat kombëtare

1) Tatimi mbi fitimin e korporatave

Tatimit mbi fitimin e korporatave i nënshtrohen:

  • Personat juridikë dhe ortakëritë që janë regjistruar për TVSH-në
  • Personat juridikë, si dhe ortakëritë e tjera të personave të themeluara ose të organizuara në bazë të një ligji të huaj dhe që ushtrojnë veprimtari në territorin e Republikës së Shqipërisë
  • Çdo person tjetër, pavarësisht nga statusi ose forma ligjore e regjistrimit apo e njohjes së tij, kur është subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar, me përjashtim të rastit kur ky person është subjekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël.

Detyrimi për të paguar tatimin mbi fitimin
Tatimpaguesit rezidentë i nënshtrohen tatimit mbi fitimet e realizuara nga të gjitha burimet brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Tatimpaguesit jorezidentë i nënshtrohen tatimit mbi fitimet e realizuara nga të gjitha të ardhurat, me burim në Republikën e Shqipërisë

Normat e tatimit mbi fitimin janë:

  • 0% për bizneset e vogla me xhiro vjetore deri ne 5 milionë lekë
  • 5% për tatim paguesit me xhiro vjetore nga 5 milionë deri në 14 milionë lekë
  • 15% për tatim paguesit me xhiro vjetore mbi 14 milionë lekë

Përjashtime

  • Për personat juridikë, të cilët ushtrojnë aktivitet për prodhimin/zhvillimin e software-ve, tatimi mbi fitimin është 5%
  • Strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”, Përjashtohen nga tatimi mbi fitimin, për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit fillojnë në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special.

Tatimi mbi dividentin

    • Norma e tatimit mbi dividentin është 8%.

2) Tatimi i thjeshtuar mbi biznesin e vogël

Çdo tatimpagues, i cili kryen një biznes, me anë të të cilit realizohet gjatë vitit fiskal qarkullim më i vogël ose i barabartë me 8 (tetë) milionë lekë, i nënshtrohet detyrimit të pagesës së tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël.

Shkalla tatimore

Shkalla tatimore e aplikueshme mbi fitimin e tatueshëm, për tatimpaguesit që i nënshtrohen tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, me qarkullim vjetor nga 5 (pesë) deri në 8 (tetë) milionë lekë, është 5%.

Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin, për tatimpaguesit me qarkullim vjetor nga 0 (zero) deri në 5 (pesë) milionë lekë, është 0 (zero) lekë në vit.

3) Tatimi mbi të ardhurat personale

Normat e tatimit mbi të ardhurat personale janë:

  • deri në 30,000 lekë – 0%
  • nga 30,001-150,000 lekë – 13%
  • mbi 150,000 lekë – 23%

Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore

Kontribute Punëdhënës Punëmarrës I vetëpunësuar
Kontribute sigurime shoqërore 15 % 9.5 % 23 %
Kontribute sigurime shëndetësore 1.7 % 1.7 % 3.4 %

Për qëllime të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore, paga minimale mujore është 26,000 lekë (afërsisht 210 euro) dhe paga maksimale mujore është 114,670 lekë (afërsisht 940 euro).

Sipas legjislacionit në fuqi, punëdhënësi duhet të paguajë çdo muaj për secilin punonjës (përveç firmave të vogla që paguajnë çdo tremujor) në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, një kontribut total i barabartë me 27.9% të të ardhurave nga paga të marra nga punëmarrësi.

Shkalla e përgjithshme e kontributeve është e ndarë në mes të punëdhënësit në 16.7% dhe të punësuarit në 11.2%. Kontributet e një punonjësi zbriten nga paga e tyre dhe paguhen nga punëdhënësi.

4) Tatimi mbi vlerën e shtuar

Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) është një tatim i përgjithshëm, mbi konsumin e mallrave dhe shërbimeve.

Tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) i nënshtrohet çdo person rezident në Shqipëri, qarkullimi vjetor i veprimtarisë ekonomike të të cilit është mbi vlerën 2 (dy) milionë lekë lekë, që është kufiri minimal të regjistrimit për TVSH-në.

Norma e tatimit mbi vlerën e shtuar

Shkalla standarte e tatimit mbi vlerën e shtuar për furnizimet e mallrave dhe shërbimeve, e cila aplikohet si një përqindje e vlerës së tatueshme është 20%.

Përjashtohen rastet si më poshtë:

  • Kufiri minimal i regjistrimit të TVSH-së është 0 (zero) dhe të gjithë janë persona të tatueshëm të regjistruar për TVSH, personat e tatueshëm, të cilët ofrojnë shërbime në veprimtaritë ekonomike nga profesione të tilla si avokati, noteri, mjeku, dentist, farmacist, infermier, veterinar, arkitekt, inxhinier, mjek, projektues, ekonomist, agronom, ekspert i regjistruar i kontabilitetit, vlerësues pasurie, pavarësisht nga xhiroja vjetore.
  • Kufiri minimal i regjistrimit të TVSH-së për prodhuesit bujqësor që i nënshtrohet një regjimi special, skema e kompensimit për prodhuesit bujqësor, është qarkullimi prej 5 (pesë) milionë lekë në një vit kalendarik.

Tatimit mbi vlerën e shtuar i nënshtrohen:

  • të gjitha furnizimet e mallrave dhe shërbimeve, të kryera kundrejt pagesës, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, nga një person i tatueshëm;
  • të gjitha importet e mallrave në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Përjashtime

Norma tatimore 0% e TVSH është e zbatueshme për:

  • eksportin e mallrave jashtë territorit të Shqipërisë;
  • transporti ndërkombëtar;

Norma tatimore 6% e TVSH është e zbatueshme për:

  • furnizimin dhe shërbimin e ofruar brenda strukturave akomoduese “Hotel/Resort me 5 yje, me status të veçantë”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”. Të gjithë Hotelet e tjerë që nuk janë “5 yje ose mbajnë një status të veçantë” do të aplikohet TVSH në normën 20% për të gjitha shërbimet e tyre, përveç shërbimeve akomoduese për të cilat TVSH është 6%
  • furnizimin e shërbimit të reklamave nga media audiovizive
  • furnizimin e mjeteve të transportit publik të licencuar të udhëtarëve me autobus me nëntë (9) plus një (1) vende ose më shumë, vetëm me motor elektrik, është 6 % deri në datën 31 dhjetor 2021. Nga data 1 janar 2022 shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar që aplikohet për këtë furnizim është 10%
  • furnizimin e librave të çdo lloji.

5) Tatimi në burim

Rezidentët në Shqipëri, organet e qeverisë qendrore dhe autoritetet lokale, organizatat jofitimprurëse dhe çdo entitet tjetër, të njohur nga legjislacioni në fuqi, do të deklarojnë dhe mbajnë tatimin në burim në masën  15% të shumës bruto të pagesave të mëposhtme  që vijnë nga një burim në Republikën e Shqipërisë. Konkretisht:

  • dividendët;
  • ndarjet e fitimit;
  • interesat;
  • pagesat për të drejtat e autorit dhe për pronësinë intelektuale;
  • pagesat për shërbimet teknike, shërbimet e menaxhimit, shërbimet financiare dhe ato të sigurimit;
  • pagesat për menaxhimin dhe pjesëmarrjen në këshillat drejtues;
  • pagesat për ndërtimin, instalimin, montimin ose për punë mbikëqyrëse që lidhen me to;
  • pagesat për qeratë;
  • pagesat për shfaqjet e aktorëve, të muzikantëve ose sportistëve, përfshirë pagesa të tilla që u bëhen personave, të cilët punësojnë artistë ose sportistë apo ndërmjetësojnë për shfaqjet e tyre.
  • të ardhurat e individëve nga lojërat e fatit dhe kazinotë.

6) Taksa e akcizës

Taksa e akcizes zbatohet për një numër të kufizuar të produkteve për konsum në masë, në veçanti për duhanin dhe nënproduktet e tij, naftën, pije alkoolike, pije joalkoolike dhe kafe, si dhe parfumet dhe deordorantët. Nëse mallrat importohen, taksa e akcizës llogaritet në vlerën doganore plus detyrimet doganore.

  • Për duhanin dhe produktet e duhanit, niveli i aplikueshëm varion nga 40-2,500 lekë / kg,
  • Për pijet alkoolike dhe likerinat niveli i aplikueshëm i akcizës akcizës varion nga 20-400 lekë / litër;
  • Për pije jo-alkoolike shkalla e akcizës është e barabartë me 2 lekë / litër;
  • Për produktin “Kafe” shkalla e akcizës varion nga 50-250 lekë / kg ;
  • Për produktet e naftës shkalla e akcizës varion nga 0–50 lekë / litër;
  • Për produktin “Duhani dhe nënproduktet e tij” niveli i akcizës është 5,850 lekë /1000 copë;
  • Për produktin “Rërë bituminoze”, niveli i akcizës është 2 lekë / kg ;
  • Për produktin “Lëndë nikotina për mbushjen e cigareve elektronike”, masa e akcizës është 10 lekë / ml ;
  • Produkti “Pije energjetike” nuk është më subjekt i akcizës;

7) Taksat vendore

Ligji Nr. 9632 “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar së fundmi me Ligjin nr. 10146 të 28 Shtatorit 2009, rregullon taksën e pagueshme për autoritetet vendore të taksave.

Sipas këtij ligji, taksat vendore janë:

  • Taksa mbi pasurinë e paluajtshme (ndërtesa dhe toka bujqësore)
  • Taksa e hoteleve (5% në çmimin e paguar nga klienti brenda natës)
  • Taksa mbi infrastrukturën për ndërtime të reja (1-4% e investimit)
  • Taksa për transferimin e pronësisë
  • Tarifat e regjistrimit për automjetet
  • Tarifat për përdorimin e hapësirave publike (tarifa mujore e llogaritur në bazë të sipërfaqes së zënë)
  • Tarifat për etiketa dhe shenja me logon e kompanisë
  • Pastrimi dhe kanalizimet
  • Taksat e përkohshme.

8) Taksat kombëtare

Taksat kombëtare janë:

  • Taksa portuale;
  • Taksa e qarkullimit për benzinën;
  • Taksa e mjeteve të përdorura të transportit;
  • Taksa e rentës minerare;
  • Taksa e akteve dhe e pullës;
  • Taksa e karbonit për benzinën;
  • Taksa e ushtrimit të veprimtarisë së peshkimit;
  • Taksa e ambalazheve;
  • Taksa mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror në përdorim;
  • Taksa mbi primet e shkruara, me përjashtim të primeve të sigurimit për produktet e jetës, shëndetit në udhëtim dhe kartonit jeshil;
  • Taksë regjistrimi fillestar dhe taksë e përvitshme për automjetet luksoze.