Slider

Infrastruktura dhe Shërbimet

Vendndodhja dhe lidhja me korridoret më të rëndësishme evropiane e vendos Shqipërinë në një pozicion gjeografikisht strategjik dhe unik.

Shqipëria lidh vendet perëndimore mesdhetare me vendet e Ballkanit dhe të Azisë.

Ky pozicion gjeostrategjik në Ballkan dhe Evropë konsiderohet si një portë lidhëse ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.

 

Transporti Rrugor

Rrjeti rrugor i Shqipërisë, përfshirë rrugët interurbane kryesore, rrugët interurbane dytësore dhe ato urbane dhe përbëhet prej rreth 18,600 km.

Në lidhje me infrastrukturën, një nga projektet më të mëdha ishte përfundimi i autostradës Durrës-Kukës-Morinë, e quajtur “Rruga e Kombit”.

Autostrada në fjalë, me një gjatësi prej 170 kilometra, ka sjellë një impakt pozitiv në shkëmbimet tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

 

Transporti Detar

Shqipëria, me rreth 440 km vijë bregdetare, ka kushte të favorshme natyrore dhe burime reale për zhvillimin e të gjitha aktiviteteve, transportit, turizmit, peshkimit me të gjitha vendet bregdetare të pellgut të Adriatikut dhe më gjerë.

Shqipëria është e arritshme nga disa porte, të vendosura në anën lindore të detit Adriatik dhe Jon.

Transporti detar realizohet në katër portet kryesore shqiptare: Autoriteti Portual Durrës, Porti Detar Vlorë, Porti Detar i Shëngjinit, Porti Detar Sarandë si dhe portet e karburanteve, Romano-Port dhe Petrolifera Port .

Porti i Durrësit

  • Është porti kryesor dhe më i rëndësishëm i Shqipërisë.
  • Shërben si portë kryesore për Korridorin VIII dhe Korridorin Durrës – Kukës – Morinë.
  • Mbulon 81.8% të të gjithë transportit të vendit dhe mbi 90% të transportit të mallrave.
  • Është terminali më i madh i trageteve, shërbimit të kontejnerëve dhe pasagjerëve.

Porti i Vlorës

  • Porti i dytë më i madh i Shqipërisë.
  • Kryesisht, shërben si port pasagjerësh dhe pjesërisht si port mallrash.
  • Është pjesë e Korridorit VIII që lidh Shqipërinë dhe më saktësisht, Portet e Durrësit dhe Vlorës me Detin e Zi, Burgas dhe Varna.

Porti i Sarandës

  • Porti i Sarandës prej 18,000 m2, gjendet në jug të Shqipërisë në detin Jon.
  • Itinerari kryesor është Korfuzi, Greqi.
  • Porti shërben kryesisht për akomodimin e kërkesës së brendshme të turizmit, si dhe shkëmbime të turizmit me Korfuzin dhe anasjelltas.

Porti i Shëngjinit

  • Porti i Shëngjinit ndodhet në pjesën veriperëndimore të Shqipërisë në Detin Adriatik.
  • Kapaciteti i përgjithshëm është 60 milionë tonë në vit.
  • Pritet të akomodojë shkëmbimet tregtare me Kosovën, Serbinë, Maqedoninë dhe më tej.

 Romano Port:

  • Ndodhet 6.5 km në veri të qytetit të Durrësit.
  • Porti Romano është i specializuar si terminal për shërbimet bregdetare të naftës dhe gazit dhe nënprodukteve të tyre dhe gazit të lëngshëm.

Petrolifera Port:

  • I vendosur në gjirin e Vlorës shërben si terminal për naftë dhe gaz të lëngshëm.
  • Pozicionohet pranë rafinerive greke dhe italiane.
  • Është pjesë e Korridorit VIII.
 

Transporti Ajror

Aktualisht, zhvillimi i transportit ajror shqiptar është i fokusuar në aeroportin e vetëm ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit. TIA, (Tirana International Airport) menaxhohet dhe operohet nga Partneriteti Privat-Publik.

Një nga prioritetet e transportit ajror është investimi për qëllime të brendshme e turistike.

Ndërtimi i një aeroporti në jug të vendit, me qëllim zhvillimin e transportit të brendshëm ajror, si dhe zgjerimin e shërbimeve të transportit ajror ndërkombëtar, është një objektiv që mund të sjellë krijimin e një tregu konkurrues me shërbime ajrore të liberalizuara.

Është ndërtuar, por nuk është ende operativ Aeroporti i Kukësit, si edhe është në fazë koncesioni aeroporti i Vlorës, ndërtimi i të cilit pritet të fillojë së shpejti.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (“Aeroporti Nënë Tereza”)

  • 17 km, (30 minuta) në veri të qendrës së qytetit të Tiranës.
  • 32 km, (45 minuta) në verilindje nga Durrësi, porti më i madh i vendit.
  • Ndodhet në udhëkryqin midis Shqipërisë veriore, jugore, qendrore dhe lindore.
  • Ndodhet shumë afër zonave kryesore industriale të Shqipërisë.

Treguesit kryesorë për vitin 2019

  • Numri i fluturimeve: 28,270.
  • Numri i udhëtarëve: 3,338,147 (në rritje 13% krahasuar me 2018).
  • Vëllimi i mallrave: 2,372 tonë (në rritje 5% krahasuar me 2018).
  • Numri i kompanive: 15 linja ajrore në 50 destinacione.

Aeroporti i Kukësit

  • Aeroporti i dytë civil në Shqipëri.
  • Destinacioni kryesor është tërheqja e kompanive ajrore me kosto të ulët (jo akoma në veprim).

Aeroporti i Vlorës

  • Një aeroport kushtuar turizmit.
  • Është në fazë e koncesionit.
 

Transporti Hekurudhor

Rrjeti hekurudhor shqiptar ka në përdorim 416 km linjë hekurudhore kryesore teke, (me një binar) në funksion 343.35 km dhe rreth 92 km linja sekondare, të stacioneve dhe degëzimeve industriale.

Stacione hekurudhore janë gjithsej 45, në të cilët kryhet procesi i shkëmbimit të trenave dhe i përpunimit të tyre.

Linja hekurudhore i përket:

  • Zonës fushore me pjerrësi udhëheqëse deri në 9 metra lartësi, në 1000 metra gjatësi.
  • Zonës kodrinore me pjerrësi udhëheqëse deri në 13 metra lartësi, në 1000 metra gjatësi.
  • Zonës malore me pjerrësi udhëheqëse deri në 18 metra lartësi, në 1000 metra gjatësi.

Prioriteti kryesor është riaktivizimi i rrjetit hekurudhor nëpërmjet instrumenteve të kapitalit privat dhe financimin e mundshëm nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe donatorët e ndryshëm.

 

Telekomunikacion

Sektori shqiptar i telekomunikacionit është përmirësuar ndjeshëm në vitet e fundit. Për më tepër, sektori i telekomunikacionit është një nga mundësitë kryesore të zhvillimit në Shqipëri.

Sektori i telekomunikacionit është i përbërë nga, katër sektorë: IT, Zhvillimi i Software, IT Hardware dhe BPO.

Shqipëria edhe pse ka një pjesë relativisht të vogël në zhvillimin e software-ve, ofron një treg potencial. Transferimi i Teknologjisë Informative, përfshin transferimin e shërbimeve të lidhura me funksionet e IT-së. Ato përbëhen, ndër të tjera nga shërbime të menaxhimit të infrastrukturës, shërbime të lidhura me programin, hulumtim dhe zhvillim të programeve kompjuterike e shërbime këshillimi për IT.

Sektori i BPO, në Shqipëri, ka parë një rritje të qëndrueshme që nga fillimi i tij dhe aktualisht, punëson afërsisht 32,000 profesionistë në më shumë se 400 firma. Tirana është qendra e BPO-së e Shqipërisë, e ndjekur nga Durrësi, Shkodra dhe Vlora.

Kompanitë BPO kryesore në Shqipëri, janë: Lufthansa Industry Solutions, Deloitte, Teleperformance, IDS, Rework, Innovaway, Alba Contact, Albacall, Ernest & Young, Euroservices and LocalEyes.

Nënsektori i telekomunikacionit është më i zhvilluar në Shqipëri. Ka tre, (3) kompani telekomunikuese që ofrojnë 3G/4G për klientët e tyre, si: Vodafone Albania, One Telecommunications (Telekom Albania) dhe Albtelecom.

Depërtimi në treg i komunikimit celular ka tejkaluar 90%, duke qenë një nga nivelet më të larta në rajon. Më shumë se gjysma e popullsisë po përdor internetin dhe gjithashtu, shërbimet elektronike.

Në 2019 ka pasur 2,630,076 përdorues aktivë të telefonisë celulare, ndërkohë që 63% e popullsisë, ka akses në rrjetet broadband 3G/4G dhe 58% e familjeve, kanë akses në rrjetet fikse broadband.

Telekomunikacioni fiks

Shërbimet e rrjeteve fikse në Shqipëri ofrohen nga rreth 181 sipërmarrës, të cilët kanë raportuar se kanë pasur aktivitet gjatë 2019 dhe zotërojnë rrjetet/infrastrukturën e tyre, përfshirë rrjetin e aksesit apo të lidhjes direkte me përdoruesit fundorë. Numri i pajtimtarëve të telefonisë fikse në vitin 2019, ka pësuar një rënie të lehtë rreth 2%, saktësisht nga 248 mijë në fund të vitit 2018, në 242 mijë në fund të vitit 2019.

Për vitin 2019 operatorët me pjesët më të mëdha të tregut fiks janë renditur, si më poshtë:

  • Albtelecom zotëron rreth 31% pjesë të tregut.
  • Abcom zotëron 17% pjesë të tregut.
  • ASC zotëron 12% pjesë të tregut.
  • Abissnet me rreth 9% pjesë tregu.
  • OA (operatorë të tjerë) rreth 30% të tregut gjatë 2019, duke arritur në më shumë se 130 mijë pajtimtarë (operatorët më pjesën më të madhe në këtë kategori, janë Digicom me rreth 4% të pjesës totale të tregut dhe Nisatel me rreth 3.2%).