Tryezë e rrumbullakët me prodhuesit e produkteve “Made in Albania” të sektorëve të Vajit të Ullirit, Mjaltit dhe Përpunimit të Qumështit

Sot, në ambientet e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), u zhvillua tryeza e rrumbullakët me prodhuesit e produkteve “Made in Albania” të sektorëve të Vajit të Ullirit, Mjaltit dhe Përpunimit të Qumështit.
Aktiviteti u përshëndet nga Drejtori Ekzekutiv i AIDA-s, znj. Laura Saro, e cila prezantoi shërbimet e agjencisë në ndihmë të NMVM-ve. I pranishëm ishte gjithashtu, Zv.Ministri i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Enio Civici, i cili prezantoi politikat mbështetëse në ndihmë të këtyre sektorëve, si dhe përfaqësues të kompanive prodhuese të produkteve “Made in Albana”.
Diskutimet e zhvilluara në këtë tryezë kishin në fokus identifikimin dhe adresimin e nevojave të sektorëve që lidhen me promovimin e produkteve “Made in Albania” në tregun e brendshëm, por edhe në tregjet e huaja, përmes bashkëpunimit me ambasadat shqiptare jashtë vendit dhe pjesëmarrjes në panaire të dedikuara. Diskutimi u fokusua gjithashtu, në mbështetjen me fonde financiare që bëjnë të mundur përmirësimin e cilësisë së produkteve nëpërmjet certifikimit të tyre, ambalazhimit, etiketimit, si edhe mbështetjen për blerjen e makinerive dhe pajisjeve që përmirësojnë proceset e prodhimit dhe cilësisë së tyre.
Rekomandimet e nxjerra nga kjo tryezë do të adresohen, për mbështetjen e sektorëve të mjaltit, vajit të ullirit dhe përpunimit të qumështit, me potencial të madh për zhvillimin ekonomik të vendit.
BACK TO NEWS