AIDA pati kënaqësinë të mirëpriste në një takim përfaqësuesit e kompanisë DP World
Agjencia për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) pati kënaqësinë të mirëpriste në një takim përfaqësuesit e kompanisë DP World, një nga operatorët më të mëdhenj në botë në fushën e porteve dhe një aktor kyç në infrastrukturën globale tregtare.
E themeluar për herë të parë në Dubai në vitin 1972, DP World ka zgjeruar prezencën e saj në më shumë se 75 vende të globit. Aktiviteti i kompanisë fokusohet në ndërtimin dhe menaxhimin e infrastrukturës logjistike përmes një rrjeti të integruar që përfshin Porte dhe Terminale, Shërbime Detare, Kontrata Logjistike si dhe Zona të Lira Ekonomike, të cilat ofrojnë lehtësira fiskale dhe doganore për investitorët.
Me një qasje inovative dhe efikase, DP World operon si lider në zinxhirin e furnizimit të integruar, nga pika e origjinës së mallrave deri te konsumatori final.
Gjatë këtij takimi, z. Alexandru Crăciun, Drejtues për Marrëdhëniet Institucionale dhe Çështjet Publike për Europën Lindore në DP World, prezantoi Shqipërinë si një alternativë mjaft premtuese për zgjerimin e aktivitetit të kompanisë, veçanërisht në fushën e kontratave logjistike (freight forwarding) dhe zhvillimit të infrastrukturës portuale.
Takimi u vlerësua si shumë produktiv, duke hedhur bazat për një bashkëpunim të mundshëm në të ardhmen dhe duke theksuar potencialin e Shqipërisë për të ofruar një zinxhir të plotë logjistik të integruar. Kjo iniciativë përbën një hap strategjik në drejtim të zhvillimit të mëtejshëm ekonomik dhe tërheqjes së investimeve të huaja në vendin tonë.



