Home » Pse Shqipëria » IHD
Në fushën e tërheqjes së investimeve Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA):
Në fushën e lehtësimit të investimeve Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA):
AIDA ka një rol proaktiv në qasjen ndaj krijimit të marrëdhënieve sa më të forta mes Agjencisë dhe të gjithë aktorëve që kontribuojnë në krijimin e një klime sa më të favorshme, për rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.
Për këtë arsye, Agjencia mbetet e angazhuar në krijimin apo përfshirjen e vazhdueshme në iniciativa që krijojnë apo zgjerojnë mundësi të reja për investitorë të rinj, apo investitorët e pranishëm në vend.
Përpjekjet për promovim lidhen gjithashtu, me angazhimin e vazhdueshëm, me investitorë të cilët janë tashmë të pranishëm në Shqipëri.
Duke ofruar shërbime efektive dhe duke mbajtur hapur kanalet e komunikimit, AIDA fiton besim, shikueshmëri dhe besueshmëri për investitorë të tjerë të mundshëm të cilët do të angazhohen me ne, për planet e tyre, për të investuar në Shqipëri.
Gjatë vitit 2025, AIDA organizoi dy fushata outreach për tërheqjen e investimeve të huaja, të fokusuara në sektorët ICT/BPO dhe manifakturën e pajisjeve mjekësore.
· Në kuadër të fushatës outreach në sektorin ICT/BPO, AIDA, në bashkëpunim me ABSL Albania, zhvilloi një takim me përfaqësuesin e kompanisë Secitops, me qëllim eksplorimin e interesit për investim në Shqipëri në fushën e fintech, financës digjitale dhe shërbimeve të biznesit.
Gjatë diskutimeve, kompania prezantoi interesin për krijimin e një platforme digjitale dhe hapjen e një banke online, të fokusuar në transfertat ndërkombëtare të parave dhe ofrimin e shërbimeve financiare për sektorin ICT dhe outsourcing, duke e konsideruar Shqipërinë si një treg potencial për zgjerim të operacioneve të saj. Gjatë takimit, AIDA prezantoi potencialin e Shqipërisë si destinacion konkurrues për investime në ICT/BPO, duke vënë në pah fuqinë punëtore të kualifikuar, kostot konkurruese, si dhe pozicionin strategjik të vendit në raport me tregjet e Bashkimit Evropian. Në vijim, AIDA do të mbajë komunikim të vazhdueshëm me kompaninë dhe do të koordinohet me institucionet përkatëse financiare dhe rregullatore për të vlerësuar më tej realizueshmërinë dhe hapat konkretë për zhvillimin e këtij projekti në Shqipëri.
· Fushata e dytë, me fokus manifakturën e pajisjeve mjekësore, u organizua me mbështetjen e Regional Cooperation Council (RCC) dhe u zhvillua në Düsseldorf, më 16–17 nëntor 2025, në kuadër të panairit ndërkombëtar MEDICA/COMPAMED 2025.
Pjesëmarrja në këtë panair krijoi mundësinë të ndërveprojmë drejtpërdrejt me kompani të fushës, të prezantojmë potencialin e Shqipërisë dhe të forcojmë pozicionimin tonë si destinacion i favorshëm për investime në këtë industri në rritje. Gjatë dy ditëve të takimit, u zhvilluan rreth 15 takime. Gjatë takimeve, u vu re fakti se një numër i konsiderueshëm kompanish tashmë kanë partneritete me kompani që operojnë në Shqipëri, çka paraqet një mundësi reale për të çuar më tej marrëdhëniet ekzistuese dhe për të ndërtuar bazën për investime të reja direkte.
Në të dyja ditët e fushatës, AIDA pati mundësinë të përçojë një mesazh të qartë dhe të strukturuar mbi përparësitë që ofron vendi ynë për investitorët e huaj: stabilitetin makroekonomik, një klimë të favorshme biznesi, kostot konkurruese, akses të shpejtë drejt tregjeve të BE-së dhe rajonit, si dhe përqendrimin në zhvillimin e sektorëve me vlerë të shtuar.
Fushata outreach u përmbyll me sukses, duke konsoliduar kontakte të rëndësishme dhe duke rritur interesin për Shqipërinë si një destinacion konkurrues për investime në sektorin e prodhimit të pajisjeve mjekësore. AIDA nisi një proces të strukturuar follow-up-i me të gjitha kompanitë e takuara. Gjatë muajit dhjetor u organizuan dy takime online me kompanitë Barkeley Health dhe Moslab.
Gjatë vitit 2025, Sektori Lead & Aftercare pranë Drejtorisë së Investimeve të Huaja, Partneritetit dhe Kërkimit në AIDA organizoi 1 fushatë të shërbimit të përkujdesjes ndaj investitorit, dhe 1 tryezë të rrumbullakët me kompani të sektorit të ICT-BPO dhe teknologjisë së informacionit dhe ndërmori nismën “Investor Support Days”. Rrjeti i bashkëpunimit me qeverisjen lokale funksionon aktualisht me 12 bashki të vendit, përkatësisht Shkodër, Vlorë, Tiranë, Durrës, Berat, Lezhë, Fier, Elbasan, Kavajë, Vorë, Kamëz dhe bashkinë Korçë.
Në kuadër të zhvillimit të forumit më të madh të investimeve Match-Maker Albania, i cili u mbajt për herë të parë në muajin Mars, u realizuan 29 takime me subjekte të huaj dhe vendas, duke i asistuar gjatë eventit me ndërlidhje kontaktesh dhe bashkëpunimesh me palët relevante, kompani, institucione shtetërore, ambasada, agjenci homologe investimesh etj.
Në muajt Prill–Maj u zhvillua fushata Aftercare me kompani të sektorit ICT-BPO, në bashkëpunim me Shoqatën ABSL Albania, gjatë së cilës u realizuan takime me 11 kompani. Në këtë kuadër u organizua gjithashtu Tryeza e Rrumbullakët e Sektorit ICT-BPO, me pjesëmarrjen e 18 kompanive nga sektori.
Me bashkëpunimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit AIDA finalizoi me sukses nismën "Investor Support Days". Kjo iniciativë u zhvillua përmes takimeve javore me kompanitë zvicerane, britanike dhe amerikane. AIDA pati përfaqësinë e institucioneve si Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve,etj. Gjithashtu ambasadat e Zvicrës, Mbretërisë së Bashkuar si dhe SWISSA-s, Dhomës Britanike të Tregtisë dhe AmCham. Në këto tryeza morën pjesë një total prej 54 kompanish. Në vijim të problematikave të raportuara janë dërguar dhe po ndiqen me prioritet shkresat dhe korrespondenca elektronike me institucionet e qeverisjes qendrore për kompanitë.
Në total, përgjatë vitit 2025, AIDA ka takuar 112 kompani përmes vizitave në terren, tryezave të rrumbullakëta, si edhe përmes iniciativave të tjera të ndërmarra në kuadër të angazhimit të saj me kompanitë e huaja dhe vendase.