Indekset Krahasuese

    • Vlerësimi i Standard & Poor’s

    Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit “Standard & Poors” (S&P) ka rritur me një kategori, vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë. Për herë të pare, ky vlerësim ka kaluar në ‘BB-‘ nga ‘B+’ që ishte, duke theksuar përmirësimin e pozicionit fiskal dhe pozicionit të jashtëm të vendit.

    Ky vlerësim vjen pas vlerësimit në shtator 2023 të “Standard & Poors”, ku përmirësohej perspektiva për Shqipërinë nga “prespektivë e qëndrueshme” në “prespektivë pozitive”. (Mars 2024)

 

  • Indeksi i Lirisë Ekonomike

Shqipëria ka një rezultat të lirisë ekonomike prej 64.8, duke e bërë ekonominë e saj të 48-ën më të lirë në Indeksin e Lirisë Ekonomike 2024.

Vlerësimi i saj ka rënë me 0.5 pikë nga viti i kaluar dhe Shqipëria renditet e 27-ta nga 44 vende në rajonin e Evropës.

Rezultati i lirisë ekonomike të vendit është më i lartë se mesatarja botërore dhe më i ulët se mesatarja rajonale. Ekonomia e Shqipërisë konsiderohet “mesatarisht e lirë” sipas Indeksit 2024.

  • Performanca e Turizmit në Shqipëri

Shqipëria renditet e para mes destinacioneve në Europë për performancën në turizëm dhe e katërta në botë, sipas publikimit të UNWTO në janar 2024, të destinacioneve me performancën më të mirë për vitin 2023.

  • Indeksi “Gratë, Biznesi dhe Ligji”

Raporti i Bankës Botërore “Gratë, Biznesi dhe Ligji 2024”, analizon ligjet dhe rregulloret që ndikojnë në mundësitë ekonomike të grave në 190 ekonomi, identifikon barrierat për pjesëmarrjen ekonomike të grave dhe inkurajon reformën për ligjet diskriminuese.

Sipas publikimit të fundit të këtij raporti, Shqipëria ka arritur një rezultat mesatar (WBL score) prej 91.3 nga 100, duke u renditur vendin e 41, nga 190 ekonomi, duke lënë pas dhe disa nga vendet e rajonit dhe disa nga ekonomitë e zhvilluara në botë.

  • Tirana, pjesë e listës së qyteteve europiane të së ardhmes 2024, si destinacionet më të mira për të investuar

FDi Intelligence ka listuar Tiranën, për të dytin vit rradhazi, ndër qytetet europiane të së ardhmes, ku renditen qytetet dhe rajonet më premtuese për të bërë biznes në të gjithë Europën.

Në raportin vjetor të publikuar së fundmi “European cities and regions of the future 2024”, Tirana renditet në vendin e 7-të në kategorinë e 10 qyteteve me madhësi të mesme për sa i përket efektivitetit të kostove.

Tirana u bë pjesë e kësaj liste për herë të parë në vitin 2023, ku renditej në të njëjtën kategori si në vitin 2024.

  • Tabela e rezultateve evropiane të inovacionit

Komisioni Evropian në publikimin e Tabelës së rezultateve evropiane të inovacionit 2023 ka vlerësuar Shqipërinë si një Inovator në zhvillim me një performancë prej 41.1% krahasuar me mesataren e BE për vitin 2023.

Në klimën e inovacionit në ekonominë shqiptare, ndikimin më pozitiv e kanë fushat si më poshtë:

· Teknologjitë e lidhura me mjedisin vlerësohen 190.8% krahasuar me mesataren e BE;

· Shitjet e produkteve innovative vlerësohen 169.2% krahasuar me mesataren e BE;

· Inovatorët e produkteve vlerësohen 81.4% krahasuar me mesataren e BE;

· Të mësuarit gjatë gjithë jetës vlerësohet 79.4% krahasuar me mesataren e BE;

· Popullsia me arsim të lartë vlerësohet 75.3% krahasuar me mesataren e BE;

  • Indeksi i Politikave të SME-ve për Balkanin Perëndimor dhe Turqinë

    Raporti “SME POLICY INDEX Western Balkans and Turkey 2022”, i publikuar nga OECD, paraqet një përmbledhje gjithëpërfshirëse të zbatimit të dhjetë parimeve të Aktit për Bizneset e Vogla për Evropën (SBA) në rajonin e zgjerimit të BE, si edhe monitoron progresin e arritur për periudhën 2019-2021.

    Shqipëria vlerësohet se ka bërë përparim të mirë sipas Raportit “SME POLICY INDEX Western Balkans and Turkey 2022”:

    · Shqipëria vazhdon të jetë lideri në rajon përsa i përket “Mjedisit Operativ për NVM-të” me një rezultat prej 4.32 në vitin 2022, nga 3.99 në vitin 2019;

    · Numri i NVM-ve për 1 000 banorë në Shqipëri është rritur me 12.3%;

    · Një NVM shqiptare punëson 5.5 persona, duke shënuar normën më të lartë në rajon;

    · Pesha e eksportit e NVM-ve shqiptare është rritur me 4.5%.

Social Media