
AIDA realizon takim me kompaninë Secitops.
Në kuadër të fushatës outreach në sektorin ICT/BPO, AIDA zhvilloi një takim me Z. Korab Gashi, përfaqësuesin e kompanisë Secitops, në bashkëpunim me ABSL Albania. Qëllimi i takimit ishte eksplorimi i interesit të kompanisë për investim në Shqipëri, veçanërisht në fushën e financës digjitale dhe shërbimeve të biznesit.

Secitops është një kompani që operon në sektorin e teknologjisë, e fokusuar në fushën e transaksioneve digjitale, sistemeve të pagesave dhe shërbimeve fintech. Me një prani në rritje në tregjet ndërkombëtare, kompania po kërkon tregje të reja që ofrojnë një klimë institucionale mbështetëse ndaj inovacionit. Potenciali i Shqipërisë si një destinacion në zhvillim për shërbimet ICT/BPO, si dhe ekosistemi në zgjerim i fintech, tërhoqën vëmendjen e Secitops dhe interesin për realizimin e këtij takimi.

Gjatë takimit u mundësua prezantimi i Shqipërisë si një vend me fuqi punëtore të kualifikuar dhe një vendndodhje strategjike për kompanitë që synojnë tregun e BE me kosto konkurruese. Secitops theksoi se një mjedis i favorshëm institucional do të jetë thelbësor për realizimin e këtij projekti.

AIDA do të qëndrojë në komunikim të vazhdueshëm me përfaqësuesit e kompanisë për asistencën e nevojshme për realizimin e investimit në Shqipëri.