Tiranë — Për herë të parë, Shqipëria mirëpriti Forumin e Biznesit Shqipëri–Japoni, organizuar nga AIDA dhe JETRO

🇦🇱🤝🇯🇵Tiranë — Për herë të parë, Shqipëria mirëpriti Forumin e Biznesit Shqipëri–Japoni, organizuar nga AIDA dhe JETRO, që mblodhi kompani prestigjioze Japoneze si Sumitomo Heavy Industries, Fujitsu Ltd, FujiClean Co.Ltd, Hagihara Industries Inc, PADECO Co. Ltd etj, nga sektorët e energjisë, menaxhimit të ujërave, infrastrukturës dhe teknologjisë.
Në fjalën e mirseardhjes, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, e cilësoi forumin si “një mundësi të jashtëzakonshme për të shpalosur potencialin ekonomik të Shqipërisë para një partneri strategjik si Japonia.”
Ambasadorja e Japonisë në Shqipëri Znj. Kikuko Kato theksoi se “kompanitë japoneze shohin në Shqipëri një partner të besueshëm dhe një treg me perspektivë të qartë zhvillimi,” ndërsa Ambasadori i Shqipërisë në Japoni Z. Ermal Muça vlerësoi rritjen e interesit të palës japoneze për projekte të qëndrueshme dhe bashkëpunime dypalëshe.
Drejtoresha e AIDA-s, znj. Laura Plaku Saro, u shpreh se:
“Ky forum është një gur themeli në marrëdhëniet ekonomike Shqipëri–Japoni. Rezultatet e sotme tregojnë qartë se ky partneritet ka potencial të madh dhe vizion afatgjatë.”
Gjatë forumit u zhvilluan dy panele tematike: “Energjia dhe Infrastruktura” dhe “Mjedisi”. Panelistët, përfshirë zv/ministra dhe ekspertë të fushës, diskutuan mbi potencialin e Shqipërisë për projekte energjetike dhe infrastrukturë moderne, si dhe mbi rëndësinë e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe praktikave ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit.
Në këto panele, kompanitë japoneze FujiClean, Padeco dhe Hagihara prezantuan eksperiencën dhe prioritetet e tyre në sektorë kyç si energjia, infrastruktura, menaxhimi i ujërave dhe mbrojtja e mjedisit. Ndërkaq, JBIC, banka japoneze për investime, fokusoi rolin e saj në mbështetjen financiare për rritjen e investimeve japoneze dhe për eksportet, duke krijuar mundësi konkrete për partneritete dhe projekte afatgjata.
Forumi përfundoi me takime B2B midis kompanive japoneze dhe partnerëve shqiptarë, duke hapur rrugën për investime të reja dhe bashkëpunim strategjik.
BACK TO NEWS