USA Investors Support Day – Shqipëria synon rritjen e investimeve amerikane

Në vijim të nismës “Investor Support Days 2025”, AIDA zhvilloi sot takimin e dedikuar për investitorët amerikanë, në bashkëpunim me Dhomën Amerikane të Tregtisë (AmCham).

Tryeza bashkoi përfaqësues të institucioneve dhe bizneseve amerikane, të cilët diskutuan mbi mundësitë e reja të investimeve në sektorë strategjikë si energjia, turizmi, teknologjia dhe shërbimet profesionale. U theksua gjithashtu potenciali i tregut shqiptar, procedurat e thjeshtuara për biznesin dhe shërbimet 100% online.

Drejtoresha Ekzekutive e AIDA-s, znj. Laura Saro, nënvizoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm me sektorin privat dhe angazhimin e AIDA-s për adresimin e çështjeve të ngritura nga investitorët.

Zv. Ministri i Financave, z. Andi Mehmeti, evidentoi avantazhet konkurruese të Shqipërisë, përfshirë harmonizimin e legjislacionit me BE-në deri në vitin 2027, stabilitetin ekonomik dhe mbështetjen nga Growth Plan i Ballkanit Perëndimor.

Përfaqësuesit e bizneseve amerikane sollën rekomandime për përmirësimin e klimës së investimeve: harmonizimin ligjor me BE-në, rritjen e transparencës, konsultime më efektive publike, luftën kundër korrupsionit dhe modernizimin e sistemit të regjistrimit të bizneseve.

Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit me rreth 254 kompanitë amerikane që operojnë në vend dhe krijimit e një mjedisi edhe më të favorshëm për investime të reja.