Fondi i Inovacionit

Fondi i Inovacionit u jep ndihmë në formë granti të drejtpërdrejtë, ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme. Granti nuk financon gjithë kostot, por vetëm një pjesë të tyre, ndërkohë që pjesa tjetër financohet nga përfituesi i grantit (në këtë rast, ndërmarrja shqiptare).
AIDA do të publikojë gjendjen e disponueshmërisë së fondeve të skemës së granteve kur të shihet e përshtatshme dhe në periudhat e hapjes apo mbylljes së dorëzimit të aplikimeve.

Çfarë është Skema e Grantit për Fondin e Inovacionit?
Qëllimi i fondit është t’i shtohet buxhetit të ndërmarrjes, duke shërbyer si një nxitje për NVM-të për të audituar nevojat e tyre për inovacion dhe teknologji, për të identifikuar furnizues teknologjie dhe partnerë në shtete të tjera, të ndihmojë dhe lehtësojë promovimin dhe licencimin apo patentimin e inovacioneve të NVM-ve duke bërë të mundur që NVM-të përfituese të arrijnë më shumë nga sa ato do të mund të arrinin vetëm me mjetet e tyre.
Fondi i Inovacionit mund të ketë si burim financimi dhe të ardhura nga donatorë apo institucione ndërkombëtare. Në këtë rast rregullat për përfitimin nga fondi do të vendosen në marrëveshje midis AIDA-s dhe donatorëve apo institucioneve ndërkombëtare.

Financimi maksimal
Fondi do të rimbursojë kostot e miratuara në përputhje me udhëzimet e mëposhtme:
• Një ndërmarrje mund të përfitojë maksimalisht 400,000 lekë për një projekt; Për ndërmarrjet që do të aplikojnë për “blerje pajisjesh teknologjike” financimi do të jetë jo më shumë se 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë.
• Skema mbulon 50% të kostove të pranuara brenda limitit të mësipërm. Përfitimi i ndërmarrjeve nga mbështetja e programeve apo projekteve për mbulimin e 50% të shpenzimeve të tjera të projektit, që nuk mbulohen nga Fondi i Inovacionit, duke përdorur fonde nga donatorët apo institucione financiare ndërkombëtare, nuk përbën pengesë për përfitim edhe nga Fondi i Inovacionit për të njëjtin projekt;
• Pagesa e fondit të përfituar bëhet 50% në fillim të projektit dhe 50% në përfundim të projektit, kundrejt faturës/faturave e cila/të cilat vërteton/vërtetojnë shpenzimet e kryera të cilat do të dorëzohen në përfundim të projektit;
• Në një vit, mund të asistohet 1 projekt për çdo ndërmarrje;
• Pranimi i aplikimeve është subjekt i disponueshmërisë së fondit dhe mund të pezullohet në çdo kohë, në rast se fondi ka mbaruar;
• AIDA në faqen e saj të internetit do të publikojë gjendjen e disponueshmërisë së Fondit te Inovacionit.

Kush mund të aplikojë për një grant të tillë?
Fondi i Inovacionit është hartuar për t’i shërbyer ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme. Kompanitë që do të përfitojnë do të duhet të përmbushin kriteret e mëposhtme:
1. Përshtatshmëria e biznesit me skemën e grantit:
• Aftësi për financim 100% të gjitha kostove të projektit të propozuar, para përfundimit të tij;
• Biznes i klasifikuar si mikro, i vogël, apo i mesëm sipas ligjit Nr. 8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, të ndryshuar;
• Ka selinë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

2. Përshtatshmëria e projektit me skemën e grantit:
• Prodhon në Shqipëri produkte dhe/apo shërbime, të cilat tregtohen brenda dhe/apo jashtë vendit;
• Kanë një projekt në përputhje me përcaktimet e VKM-së Nr. 211 datë 20.04.2018.
Cfarë mund të financohet?
Fondi mbulon kostot për aktivitetet e mëposhtme:
• auditim të kapacitetit inovativ dhe teknologjik, që synon t’u mundësojë ndërmarrjeve aplikante vlerësimin për nivelin ekzistues të teknologjisë dhe mundësitë për rinovimin e tyre të inovacionit dhe/ose pozicionimit teknologjik, sipas një strukture konkurruese zhvillimi;
• ndërkombëtarizimin e teknologjisë, e cila synon t’u mundësojë ndërmarrjeve aplikante të identifikojnë dhe të inspektojnë teknologjinë që kërkojnë të përshtatin;
• pjesëmarrje në panaire inovacioni, teknologjie dhe promovimi, në lidhje me inovacione të ndërmarrjes;
• blerje pajisjesh teknologjike, që ndikojnë në rritjen e kapaciteteve inovative dhe teknologjike të ndërmarrjes.
• licenca ose patenta (software ose hardware).

Kosto që nuk mbulohen
Kostot e mëposhtme nuk mbulohen nga Fondi:
• Kosto të lindura para datës së nënshkrimit të kontratës së grantit;
• Kosto komerciale, përfshirë përfaqësimin;
• Zbavitje dhe dhurata;
• Investim kapital;
• Prodhim, duke përfshirë kampionë;
• Kosto të Ndërmarrjeve/Aplikantëve për stafin e tyre;
• Shpenzime administrative;
• Kosto të lindura në vazhdimësi prej strukturave dhe detyrimeve ekzistuese;
• Çdo aktivitet i paligjshëm;
• Pjesëmarrja në panaire të armatimit dhe teknologjisë ushtarake;
• Pjesëmarrja në panaire të teknologjisë së duhanit.
Si aplikohet?
 Kërkesa paraqitet në sportelin e AIDA-së nga vetë kërkuesi apo çdo person i autorizuar prej tij sipas formatit të aplikimit të miratuar nga Drejtori Ekzekutiv. Punonjësi i AIDA-s asiston të interesuarin në plotësimin e formularit të aplikimit, verifikon identitetin dhe kërkon nënshkrimin e formularit të plotësuar. Formulari i aplikimit do të plotësohet elektronikisht nga ana e nëpunësit të AIDA-s sipas të dhënave të deklaruara nga aplikuesi.
 Dokumentet paraqiten në origjinal, në kopje me të njëjtën fuqi provuese me origjinalin ose në kopje të panjëhsuara me origjinalin, nën përgjegjësinë e plotë të aplikantit për vërtetësinë e akteve të marra si kopje të vërteta të origjinalit.
 Kur kërkesa paraqitet nga personi i autorizuar, sipas pikës 1 të rregullores, bashkë me dokumentet paraqitet edhe dokumenti që vërteton faktin e të qenit i autorizuar.
 Punonjësi i AIDA-s lëshon një konfirmim, me shkrim, për çdo kërkesë.
 Punonjësi i AIDA-s është i detyruar të marrë në dorëzim çdo aplikim, të paraqitur sipas kërkesave të kësaj rregulloreje.
 Aplikimi do të pajiset me një numër aplikimi dhe do të regjistrohet në Regjistrin e Skemës së Grantit për Ndarje të Kostove.
 Koordinatori i Skemës do të marrë në dorëzim dhe do të analizojë aplikimin, për t’u siguruar në lidhje me plotësimin siç duhet të aplikimit, si dhe me pranueshmërinë e aplikimit. Pas këtij shqyrtimi, ai informon Menaxherin e Skemes, i cili aplikimin ia paraqet për vlerësim Komisionit të Aprovimit të Grantit (KAG).
 Vendimi për miratimin ose refuzimin e një aplikimi, bazohet vetëm mbi dokumentet e paraqitura.
 KAG gjatë shqyrtimit të çdo aplikimi merr në konsideratë kriteret e përcaktuara në VKM-në Nr. 406 datë 13.05.2015 dhe në këtë Rregullore.
 Vendimi për akordim të grantit merret me shumicë votash dhe nënshkruhet nga të gjithë anëtarët prezent të Komisionit.
 Pas mbledhjes së Komisionit, bëhet njoftim i aplikuesit sipas formatit të miratuar nga Drejtori Ekzekutiv duke iu referuar në mënyrë specifike Aplikimit, në një afat prej 2 ditësh pune, se:

• Aplikimi është refuzuar nga KAG duke listuar dhe arsyet e refuzimit.
• Aplikimi është miratuar nga KAG.
• Njoftimi bëhet me telefon ose email. Në rastin e njoftimit me telefon, formati i njoftimit siglohet nga përfaqësuesi i ndërmarrjes.

 Pas njoftimit, ndërmarrjes të cilës i është miratuar kërkesa, paraqitet pranë AIDA-s për të nënshkruar marrëveshjen kontraktuale për dhënien e grantit sipas formatit të miratuar nga Drejtori Ekzekutiv, në të cilën do të përcaktohet dhe afati për përfundimin e projektit.

as nënshkrimit të marrëveshjes AIDA do të kalojë në llogarinë bankare të ndërmarrjes përfitueses 50% të vlerës të shpenzimeve të miratuara por jo më shumë se 200 000 (dy- qind mijë) lekë.
Me nënshkrimin e marrëveshjes së grantit, ndërmarrja përfituese angazhohet të përmbushë tërësisht dhe në kohë projektin e miratuar.Nëse për ndonjë arsye, ndërmarrja dëshiron të ndryshojë projektin pas nënshkrimit të kontratës, ajo duhet t’i paraqesë paraprakisht AIDA-s një kërkesë për anulimin e kontratës, e cila do të nënkuptojë mos- rimbursimin e shpenzimeve të kryera nga ndërmarrja si dhe detyrimin e ndërmarrjes për të kthyer shumën e përfituar pas nënshkrimit të marrëveshjes me AIDA-n.
Vetëm pasi një procedurë e tillë anulimi të jetë përfunduar dhe konfirmuar me shkrim nga AIDA, ndërmarrja mund të bëj një aplikim të ri.

Përgjegjësitë e përfituesve
Për të siguruar rimbursimin, aplikantëve të suksesshëm do t’u kërkohet të:
• Respektojnë në mënyrë rigoroze dhe integrale të gjitha deklaratat e shprehura dhe angazhimet e përfshira në “Formularin Standard në lidhje me Kriteret e Përjashtimit” dhe në formularin e aplikimit, sipas formateve të miratuara nga Drejtori Ekzekutiv;
• Vënë në dispozicion të AIDA-s çdo informacion që lidhet me zbatimin e projektit;
• Paraqesin tek Menaxheri i Skemës një raport në lidhje me përfundimin e projektit, faturat origjinale për shpenzimet (këto mund t’i kthehen ndërmarrjeve pasi të jenë nxjerrë kopjet e certifikuara), si dhe çdo dokument të nevojshëm për të bërë të mundur kryerjen e pagesës;
• Pranojnë çdo lloj monitorimi, vlerësimi dhe/apo auditimi për të cilat projekti i aprovuar mund të bëhet objekt, duke siguruar të gjithë informacionin dhe dokumentacionin e kërkuar;
• Përfundojnë projektin brenda kohës së parashikuar në marrëveshje.
Konfidencialiteti
Gjithë informacioni i dhënë nga aplikantët për AIDA-n për qëllim të Skemës, veçanërisht e gjithë korrespondenca e shkëmbyer është konfidenciale dhe nuk do të zbulohet. AIDA do të ruajë në mënyrë konfidenciale informacionet e marra nga ndërmarrjet. Asnjë e dhënë e marrë prej AIDA-s nga ana e aplikuesve nuk do t’u bëhet e ditur palëve të treta pa miratimin e tyre.

Informacion i mëtejshëm
Nëse keni paqartësi apo pyetje të tjera, ju lutem të kontaktoni agjencinë AIDA-s.
Kontaktet:
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA)
Tel: 04-2251001
Email: info@aida.gov.al

Për t’u njohur me kriteret e aplikimit, si dhe me dokumentacionin e nevojshëm klikoni në:
VKM Fondi i Inovacionit 2018-2020
Urdhëri i Fondit të Inovacionit 2017
Rregullore e Fondit të Inovacionit
Fondi i Inovacionit – Broshura
Formular Aplikimi – Fondi i Inovacionit
Formular Standard lidhur me kriteret e përjashtimit FI per inovacionin

Për më shumë informacion, AIDA ju fton të shfletoni botimin “Fondi i Inovacionit” duke klikuar në linkun: http://aida.gov.al/fondi-inovacionit/