AIDA viziton Invest North Macedonia në kuadër të bashkëpunimit rajonal

Stafi i sektorit Investime & Aftercare pranë AIDA-s, me anë të mbështetjes së ofruar nga Regional Cooperation Council (RCC), realizoi një vizitë studimore në Shkup, Maqedonia e Veriut. Vizita kishte për qëllim shkëmbimin e ideve dhe eksperiencave me fokus mbështetjen e investimeve dhe përmirësimin e klimës së biznesit në të dy vendet. Në takimin e zhvilluar me agjencinë homologe Invest North Macedonia, Drejtori Ekzekutiv i saj, z. Gazmend Abdija, bëri një prezantim të agjencisë dhe misionit, duke u përqendruar te mbështetja e kompanive përmes lehtësimit të rritjes së vazhdueshme dhe te ndihma shtetërore që Maqedonia e Veriut ofron për kompanitë dhe sektorët më të zhvilluar.
Më tej, stafi i AIDA-s realizoi një takim me Drejtorinë për Zonat e Zhvillimit Industrial Teknologjik (TIDZ), për t’u njohur nga afër me praktikat më të mira dhe implementimin e tyre kundrejt investitorëvë të huaj. Përfaqësuesit e kësaj drejtorie bënë një prezantim të hollësishëm të misionit të saj, që lidhet drejtpërdrejt me zonat e lira ekonomike, ku zhvillojnë veprimtarinë e tyre rreth 40 kompani me kapital amerikan, kanadez, gjerman, turk, italian, etj. Takimi u pasua me vizita në terren, në dy zonat ekonomike, Skopje 1 dhe 2, ku operojnë kompani kryesisht të sektorit automotiv.
Në përfundim të vizitës, palët dakortësuan mbi angazhimin reciprok për bashkëpunim institucional të vazhdueshëm, në funksion të mbështjetjes së zgjerimit të biznesit, rritjes ekonomike dhe sidomos në funksion të shkëmbimit të praktikave më të mira që lehtësojnë investimet.
BACK TO NEWS