Forumi i biznesit Shqipëri–Egjipt forcon bashkëpunimin ekonomik dhe nxit partneritete strategjike

Forumi i biznesit Shqipëri–Egjipt forcon bashkëpunimin ekonomik dhe nxit partneritete strategjike
Tiranë, 12–14 Dhjetor 2025 – Në kuadër të Forumit dyditor Shqipëri–Egjipt, u zhvilluan diskutime të nivelit të lartë mbi forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe zgjerimin e partneriteteve mes sektorit publik dhe privat të dy vendeve.
Forumi u zhvillua me pjesëmarrjen e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit të Shqipërisë, znj. Delina Ibrahimaj, si dhe të Ministres së Planifikimit, Zhvillimit Ekonomik dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës Arabe të Egjiptit, Dr. Rania Al-Mashat. Në aktivitet morën pjesë gjithashtu Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, z. Enkelejd Musabelliu, dhe Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Olta Manjani, së bashku me përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe komunitetit të biznesit nga të dy vendet.
Gjatë sesioneve të forumit, fokusi ishte rritja e shkëmbimeve tregtare, nxitja e investimeve të ndërsjella, shkëmbimi i ekspertizës dhe zhvillimi i projekteve të përbashkëta në sektorë strategjikë si energjia, turizmi, bujqësia, teknologjia dhe punësimi.
Një moment i rëndësishëm i forumit ishte nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit midis Autoritetit të Përgjithshëm për Investime dhe Zonat e Lira të Republikës Arabe të Egjiptit (GAFI) dhe Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA). Marrëveshja synon thellimin e bashkëpunimit në fushën e investimeve, përmes shkëmbimit të informacionit dhe praktikave më të mira, si dhe përmirësimin e klimës së biznesit në të dy vendet.
Forumi Shqipëri–Egjipt shërbeu si një platformë e rëndësishme për forcimin e dialogut institucional dhe ekonomik, duke hedhur bazat për bashkëpunim afatgjatë dhe iniciativa konkrete në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjes ekonomike të përbashkët.
BACK TO NEWS