Takim biznesi Shqipëri–Greqi për forcimin e bashkëpunimit ekonomik

🇦🇱🇬🇷 Takim biznesi Shqipëri–Greqi për forcimin e bashkëpunimit ekonomik
Në Greqi u organizua një takim biznesi me drejtues dhe sipërmarrës të Dhomave të Tregtisë greke, në praninë e Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Elisa Spiropali, si dhe Drejtoreshës së Përgjithshme të AIDA-s, znj. Laura Saro, me fokus forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe promovimin e potencialit të Shqipërisë si destinacion konkurrues për investime.
Aktiviteti, i organizuar nga Delphi Economic Forum dhe Ambasada e Shqipërisë në Greqi, evidentoi interesin e bizneseve greke për investime në sektorë kyç si energjia, turizmi dhe ndërtimi. Të pranishëm ishin gjithashtu homologët e AIDA-s, Enterprise Greece, me të cilët ekzistojnë marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi dhe plane konkrete për avancimin e iniciativave të përbashkëta.
Hapi i radhës konkret në këtë bashkëpunim do të jetë pjesëmarrja e Shqipërisë në muajin mars në panairin ndërkombëtar Food Expo, ku një delegacion i gjerë biznesesh shqiptare do të ketë mundësinë të eksplorojë mundësi bashkëpunimi në fushën e import-eksportit të produkteve ushqimore dhe sektorëve të lidhur me to.
BACK TO NEWS