Firmoset Memorandum Bashkëpunimi mes AIDA-s dhe Lidhjes së Bizneseve të Kosovës
Firmoset Memorandum Bashkëpunimi mes AIDA-s dhe Lidhjes së Bizneseve të Kosovës 


Sot, më 26 shkurt 2026, Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), znj. Laura Saro, zhvilloi një takim me delegacionin nga Kosova, të përbërë nga përfaqësues të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës (LBK), organizatë që përfaqëson mbi 2800 biznese nga sektorë kyç të ekonomisë.
Në takim ishin përfaqësues të rëndësishëm të sipërmarrjes kosovare, ndër të cilët Z. Besart Dreshaj, Kryetar i LBK, si dhe përfaqësues të Lesna Group, Elsa Group, Alkolmplex Kosovë & Shqipëri, Spitali Lindja, etj.
Takimi u përqendrua në prezantimin e mundësive për partneritete ekonomike, rritjen e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe diskutimin e iniciativave të përbashkëta, përfshirë organizimin e një Forumi të Përbashkët të Bizneseve të Shqipërisë dhe Kosovës.
Në përfundim të takimit, palët firmosën një Memorandum Bashkëpunimi, duke formalizuar një kornizë bashkërendimi për iniciativa të ardhshme dhe projekte konkrete me ndikim në zhvillimin ekonomik të dy vendeve.
Ky është një moment i rëndësishëm për thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe në krijimin e një platforme të qëndrueshme bashkëpunimi mes komuniteteve të biznesit të Shqipërisë dhe Kosovës.

