Zona Future Estate, në kuadër të Match Maker Albania 2, u shndërrua në një nga hapësirat dinamike të eventit

Zona Future Estate, në kuadër të Match Maker Albania 2, u shndërrua në një nga hapësirat më dinamike të eventit, duke sjellë në një platformë të vetme investitorë, arkitektë të njohur dhe zhvillues nga tregjet më të rëndësishme ndërkombëtare.
Në këtë zonë u prezantuan 20 projekte konkrete – 15 private dhe 5 shtetërore – duke ofruar një pasqyrë të qartë të transformimit urban dhe turistik që po merr formë në Shqipëri.
Prania e studiove të njohura arkitekturore si Bofill Taller de Arquitectura (Spanjë), A Is For Architecture (Mbretëria e Bashkuar), Adoras (Spanjë) dhe MAB Architecture Studio (Itali) i dha zonës një dimension të fortë ndërkombëtar, të reflektuar edhe në prezantimet e tyre gjatë aktivitetit.
Interesi i investitorëve ishte konkret dhe i prekshëm. Aura Sanctuaries nga Gjermania prezantoi një projekt me vlerë 7 milionë euro, ndërsa brandi prestigjioz Swissôtel u prezantua për herë të parë në Shqipëri, me plane të qarta për hapjen e një hoteli – një tregues i vazhdimësisë së hyrjes së markave ndërkombëtare në tregun vendas.
Gjithashtu, Zëvendës Presidenti për Zhvillimin Global i Minor Hotels Group – një rrjet me mbi 560 hotele në mbarë botën – prezantoi interesin e kompanisë për zgjerim në Shqipëri.
Një tjetër emër i rëndësishëm ishte Marcus Benussi, Managing Director i Forbes Global Properties, i cili solli një perspektivë të vlefshme mbi tregun global të pasurive të paluajtshme dhe potencialin në rritje të Shqipërisë.
Të pranishme ishin edhe institucionet kryesore shtetërore – Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe Korporata e Investimeve Shqiptare – duke theksuar rëndësinë strategjike të bashkëpunimit publik-privat në zhvillimin e projekteve të mëdha.
Zona Future Estate konfirmoi se Shqipëria po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një destinacion i besueshëm për investime në turizëm dhe pasuri të paluajtshme, duke krijuar lidhje konkrete mes ideve, kapitalit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
BACK TO NEWS