Vizita zyrtare e Kryeministrit Edi Rama në Pallatin Mbreteror në Monako, i ftuar nga Princi Albert II

Në datat 9 dhe 10 Prill, Kryeministri Z. Edi Rama, zhvilloi një vizitë zyrtare në Principatën e Monakos, me ftesë të Princit Alberti II. Kryeministri u prit në një ceremoni të veçantë zyrtare në Pallatin Mbretëror në Monako nga Princi Alberti II dhe kreu i qeverisë së Monakos Z. Serge Telle.

Në takimin e zhvilluar, Kryeministri Edi Rama dhe princi Alberti II vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm mes dy vendeve në fusha si ajo e mjedisit, turizmit, marinës, etj. dhe theksuan angazhimin e tyre për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim në të ardhmen.

Në një moment të veçantë, Princi dekoroi Kryeministrin me medaljen e Komandantit të Urdhrit të Shën-Karlit të Principatës së Monakos. Urdhri i Shën Karlit është dekorata më e lartë e Principatës se Monakos. Është themeluar nga paraardhësi i Albertit II, Princi Karl III, me 15 mars 1858.

Kryeministri i Shqipërisë u nderua me këtë urdhër gjatë vizitës së tij zyrtare në Principatën e Monakos më 10 prill 2019, jo për reciprocitet, por për merita të veçanta në forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve dhe angazhimin e tij në mbrojtjen dhe promovimin, si faktorë zhvillues për Mesdheun, të bregdetit dhe zonave detare. Gjithashtu Princi Albert II, vlerëson nëpërmjet kësaj dekorate Kryeministrin si një personalitet të kulturës.

Gjatë kësaj vizitë Kryeministri u shoqërua nga Z. Sokol Nano, Drejtori Ekzekutiv i AIDAs, Z. Blendi Klosi, Ministër i Turizmit dhe Mjedisit, Z. Etjen Xhafaj, Zv/ Ministër i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, Ambasadori i RSH në Francë Z. Dritan Tola si dhe nga Presidenti i Dhomës së tregtisë Francë – Shqipëri Z. Julien Roche.

BACK TO NEWS