AIDA, pjesë e trajnimit “Western Balkans Regional Investment Promotion”, 12 – 13 Dhjetor, Austri
AIDA është duke bërë përgatitjet për fushatën e Outreach Campaign në sektorin automotiv, që pritet të zhvillohet në muajt e parë të vitit 2020. Kjo fushatë zhvillohet në vijim të Projektit Rajonal të Ballkanit Perëndimor për Politika të Investimit dhe Promovimit 2018-2020. Ky projekt përqëndrohet në ndërmarrjen e reformave të synuara në klimën e investimeve për të krijuar një treg të ri rajonal për investime në 6 ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, WB6, ku përfshihet Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia. Bashkëpunimi në nivel rajonal ka për qëllim gjenerimin e niveleve më të larta të investimeve të huaja dhe ndër-rajonale të drejtëpërdrejta, nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe promovimin e krijimit të vendeve të punës.
Me mbështetjen e Bankës Botërore, shtetet e Ballkanit Perëndimor janë duke aplikuar metoda të reja për përthithjen e Investimeve të Huaja Direkte, ndër të cilat është dhe metoda e Outreach Campaign. Kjo metodë parashikon një qasje më proaktive në përthithjen e investimeve. Në këtë kuadër shtetet e WB6 kanë përcaktuar sektorë strategjikë ku ekonomia e tyre paraqet konkurueshmëri të lartë dhe do targetojnë kompani specifike në këto sektorë me synim sjelljen e investimeve nga këto kompani në vendet e tyre.
Në vijim të bashkëpunimit të vazhdueshëm me Bankën Botërore në përgatitjen e kësaj fushate, përfaqësues të AIDA-s morën pjesë në trajnimin”Western Balkans Regional Investment Promotion”. Fokusi i këtij trajnimi ishte ngritja e kapaciteteve të agjencive promovuese të Ballkanit Perëndimor në realizimin e fushatave të suksesshme të Outreach. Pjesëmarrës në trajnim ishin dhe përfaqësues të agjencive promovuese të Ballkanit Perëndimor.
Në përfundim të trajnimit u ra dakord për planin dhe hapat që duhet të ndiqen për vijimin e përgatitjes për këtë fushatë, në bashkëpunim me Bankën Botërore.