Forum Diskutimi – Promovimi i Produkteve Lokale

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) në bashkëpunim me Ministrinë e Financave organizoi sot një forum diskutimi me temë promovimin e produkteve lokale dhe forcimin e markës Made in Albania.

Pjesë e këtij forumi ishin Z. Sokol Nano, Drejtori Ekzekutiv i AIDA-s, Znj. Anila Denaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë, Z. Eduard Shalsi, Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Znj. Frida Krifca, Drejtore e AZHBR, si edhe përfaqësues nga biznese dhe autoritete të tjera shtetërore dhe private. Ky forum kishte si qëllim kryesor hapjen e diskutimeve me përfaqësues të sekorit të tregtisë për promovimin e produkteve shqiptare dhe forcimin e markës “Made in Albania” nëpërmjet nxitjes së bashkëpunimit të një rrjeti distributorësh që të tregtojnë produktet shqiptare.

Fjalën hapëse të forumit të diskutimit e mori Drejtori Ekzekutiv i AIDA-s Z. Sokol Nano, ku theksoi rëndësinë e promovimit të produkteve vendase me qëllim zgjerimin e eksporteve dhe rritjen e sipërmarrjeve shqiptare edhe në nivel ndërkombëtar.

AIDA, gjatë pandemisë dhe jo vetëm, ka asistuar kompanitë me informacion dhe ka qëndruar pranë tyre me qëllim adresimin e problematikave. AIDA ka ndërmarrë së fundmi fushatën “Zgjidh të Vendit”, një fushatë promocionale mbi promovimin e produkteve vendase të çdo qyteti dhe fshati duke bërë të njohur shumë produkte “Made in Albania”.

Gjatë forumit u zhvillua edhe një sesion i hapur pyetje-përgjigje ndërmjet pjesëmarrësve të bizneseve, përfaqësuesve të panelit dhe autoriteteve të tjera shtetërore ku u diskutua mbi politikat që duhet të ndërmarren në mbështetje të produkteve lokale, për të rritur cilësinë dhe konkurrueshmërinë në vend, rajon dhe më gjerë.

BACK TO NEWS