Tryeza e Rrumbullakët e Biznesit “Poloni – Shqipëri”

Sot u mbajt Tryeza e Rrumbullakët e Biznesit “Poloni – Shqipëri” me pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë Sh.T.Z. Bajram Begaj dhe Presidentit të Republikës së Polonisë Sh.T.Z. Andrzej Duda.
Ky aktivitet i bashkëorganizuar nga Agjencia Polake e Investimeve dhe Tregtisë (PAIH) dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), mori një vëmendje të veçantë për rëndësinë që pati në vendosjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit midis sipërmarrësve nga Polonia dhe Shqipëria dhe shprehjen e ideve konkrete për zgjerim në tregun shqiptar.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Sh.T.Z. Bajram Begaj, shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë për forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike dhe mbështetjen e ofruar nga shteti mik për integrimin në NATO dhe anëtarësimin në BE. Gjihashtu, Z. Begaj theksoi potencialin e madh të Shqipërisë, nga ku mund të përfitojnë investitorët polak.
Në fjalën e tij, Presidenti i Republikës së Polonisë Sh.T. Z. Andrzej Duda, theksoi mbështetjen e investimeve polake në Shqipëri dhe prezantoi marrëdhëniet ekonomike dypalëshe, duke theksuar forcimin e dialogut Poloni –Shqipëri për rritje të bashkëpunimeve tregtare.
Drejtori i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve Z. Sokol Nano, shprehu konsideratën më të lartë për organizimin e këtij eventi që synon nxitjen dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik dypalësh. Z. Nano bëri edhe një prezantim të reformave të ndërmarra nga Qeveria Shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit, duke ndikuar në rritjen e fluksit të investimeve të huaja në 10-vjeçarin e fundit.
Gjatë eventit mbajti fjalën e tij edhe Anëtari i Bordit të Agjencisë Polake të Investimeve dhe Tregtisë (PAIH), Z. Zdzislaw Sokal, i cili bëri një prezantim të funksionit dhe qëllimit të PAIH dhe takimeve dypalëshe institucionale të mbjtura në Shqipëri. Z. Sokal prezantoi sektorët e kompanive pjesëmarrëse në këtë event dhe shprehu dëshirën për bashkëpunim dhe themelim të sipërmarrjeve të përbashkëta polake dhe shqiptare.
Në vijim, drejtuesit e agjencive homologe, AIDA dhe PAIH nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit, si hap i parë i një procesi të vazhdueshëm me qëllim forcimin e marrëdhenieve të ndërsjellta, por edhe ndarjen e eksperiencave institucionale, për të krijuar rrjetin mbështetës të nevojshëm për kompanitë e dy vendeve. Në përfundim të Tryezës së Rrumbullakët të Biznesit “Poloni – Shqipëri” u zhvilluan takimet B2B (business to business), ndërmjet kompanive polake dhe atyre shqiptare.
BACK TO NEWS