After-Care mbyll me sukses ciklin e takimeve me Bashkinë e Elbasanit
Ky ka qenë viti i dytë i programit mbi përkujdesjen e vazhdueshme të investitorëve që After-Care po zhvillon për ti ardhur në ndihmë investitorëve që zhvillojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri e që përballen me probleme administrative, burokratike. Ky projekt bashkëpunimi ka nisur fillimisht me dy bashki pilote, Bashkinë Lezhë dhe Elbasan, ku është zgjeruar më pas rrjeti i bashkëpunimit me Bashkinë Tiranë, Durrës, Shkodër, Berat, Fier dhe Vlorë.
Kanë përfunduar ditën e mërkurë vizitat në qytetin e Elbasanit, ku stafi i agjencisë ka vizituar kompanitë Bio Funghi, Dieta shpk dhe Victus FED. Së bashku me përfaqësues të Bashkisë Elbasan, vizita e parë është zhvilluar në kompaninë Bio Funghi, e specializuar në kultivimin, përpunim dhe tregtimin e kërpurdhave, një proces mjaft i vecantë të cilin Z. Musai, krijues i kompanisë na e ka prezantuar gjatë vizitës në kompani.
Gjatë takimit jemi njohur me fazat kryesore të kultivimit dhe kërkesat specifike ndaj kushteve mjedisore të domosdoshme për kultivimin e kërpurdhave. Për shkak të vecantisë dhe delikatesës që kërkon ky produkt për t’u prodhuar, substancat me përbërje të shtuara apo të rrezikshme për organizmin e njeriut janë kategorikisht të ndaluara. Nisur nga eksperienca e fituar jashtë vendit Z. Musai ka vendosur që prej vitit 2016 ta sjellë këtë kulturë edhe në vendin tonë.
Takimi ka vijuar në kompaninë Victus FED, në Dëshiran të Elbasanit ku prej 6 vitesh kultivohet shafrani ‘Zafferano di Dumre’, emri me të cilin njihet jashtë kufijve shafrani i Dumresë. Edhe kjo është një kulturë e re e për kultivimin e kësaj bime në vendin tonë.
Stafi i AIDA-s ka gjetur rastin për të informuar të dyja këto kompani, mbi përfitimet dhe shërbimet e agjencisë dedikuar sipërmarrësve shqiptarë siç është dhënia e granteve të Shtetit shqiptar apo identifikimi i tregjeve ose partnerëve të rinj për eksport, nevojave për çertifikim produkti, etj.
Takimi përmbyllës është zhvilluar pranë kompanisë Dieta, e cila që prej vitit 2008 meret me grumbullimin, përpunim e miellit nga nënproduktet e misrit.