AIDA dhe kompanitë shqiptare të tekstilit marrin pjesë për herë të parë me një stendë në panairin A+A Dusseldorf, Gjermani

Në datat 5 – 8 nëntor po mbahet në Dusseldorf, Gjermani Panairi A+A, i veshjeve të punës dhe produkteve të tjera të sigurisë në punë. Ky panair cilësohet si një nga më të rëndësishmit në Europë për sektorin e tekstileve dhe kompanive që janë pjesë e proçesit të veshjeve të punës, por edhe atyre që kanë si produkt final këto veshje.

AIDA mori masat që këtë vit kompanitë shqiptare të kishin një stendë të përbashkët, ku të kishin mundësinë për takime me kompani të tjera europiane, me qëllim shtrirjen e biznesit, lidhjen e kontratave të reja të punës dhe rritjes së mundësive të reja për eksport. AIDA në këtë organizim të sivjetshëm kishte si partner edhe SIPPO-n (Swiss Import Promotion Programme), që asistoi AIDA-n dhe kompanitë që u përfaqësuan në këtë panair në kuadër të forcimit të burimeve njerëzore.

Drejtori Ekzekutiv i AIDA-s Z. Sokol Nano, në takim me kompanitë shqiptare pjesëmarrëse në Panair, përkrahu idenë e tyre për një organizim edhe më gjithëpërfshirës në edicionin e ardhshëm të Panairit dhe i siguroi pjesëmarrësit për mbështetjen e plotë të AIDA-s, në çdo hallkë ku ata do të kenë nevojë për asistencë.

Slogani i sivjetshëm i Panairit ishte “People Matter”, ky slogan i zgjedhur nga organizatorët vë në qendër të organizimit sektorin e tekstileve, sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe rëndësinë që kanë veshjet e punës në jetën e punonjësve.

Përgjatë Panairit A+A firmat shqiptare që u bashkuan në stendën e AIDAs, kishin një program të plotë me takime, vizita studimore, pritje në stendë për të interesuarit direkt për shërbimet dhe produktet që ato ofrojnë. AIDA dhe SIPPO shërbyen si pika lidhëse ndërmjet kompanive, vizitorëve dhe firmave të huaja potenciale për investime në sektorin e tekstileve dhe rrobave të punës.

Posaçërisht për këtë Panair AIDA, përgatiti një broshurë për Tekstilin dhe Lëkurën në Shqipëri, por edhe me profilin e secilës nga kompanitë prezente në stendë. Kjo broshurë u ofrua për vizitorët edhe të interesuarit në formën e një kartëvizite, nga ku broshura aksesohet direkt në faqen zyrtare të AIDA-s, duke skanuar një QR kod.

Një rol të rëndësishëm dhe më vlerë të shtuar në këtë organizim kanë luajtur edhe partnerët e AIDA-s, Shoqata Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Universiteti Politeknik i Tiranës, Departamenti i Tekstileve dhe Modës. Panairi gjatë periudhës 5 – 8 Nëntor, ka mbledhur mbi 60 shtete prezantuese, 67,000 vizitorë potencial nga 130 shtete të ndryshme. Në linkun në vijim gjendet broshura e përgatitur për këtë panair: :” http://aida.gov.al/wp-conte…/…/2019/10/aaBroshure.Finale.pdf

Pas interesimit të firmave pjesëmarrëse dhe dëshirës për të qenë sa më mirë të përfaqësuara, por edhe pas një përmbledhje të këtij Panairi, do të shihet mundësia që në sesionin e radhës të kemi edhe një organizmim më të plotë edhe gjithëpërfshirës, e gjitha kjo në mbështetje të biznesit vendas.

BACK TO NEWS