AIDA, mbledh partnerët e konsorciumit shqiptar të projektit Enterprise Europe Network Albania
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), në cilësinë e koordinatores së projektit Enterprise Europe Network Albania (EEN- Albania), si edhe në kuadër të zbatimit dhe implementimit të këtij projekti, zhvilloi ditën e sotme takimin me partnerët e konsorciumit shqiptar.
Në takim ishin prezent përfaqësues nga konsorciumi shqiptar i projektit, i cili përbëhet nga katër institucione publike dhe private:
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë
Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë
Instituti për Politikat Publike dhe Mirëqeverisjen.
Drejtori Ekzekutiv i AIDA-s Z.Sokol Nano, ndau me të pranishmit objektivat dhe prioritetet kryesore të projektit, mundësitë që rrjeti ofron për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM) shqiptare në gjetjen e partnerëve strategjikë dhe zgjerimin në tregje të reja, transferimin e teknologjisë, si edhe rritjen e aftësive konkurruese dhe inovative të tyre në tregun Europian dhe më gjerë.
🗓Në përfundim të takimit u dakordësua edhe për hapat dhe planin që duhet të ndiqet me qëllim implementimin dhe zbatimin e objektivave të projektit.
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve,
Tiranë 20 Maj 2020