AIDA merr pjesë në mbledhjen e Këshilltarëve Tregtarë të Shteteve Anëtare të BE-së
AIDA merr pjesë në mbledhjen e Këshilltarëve Tregtarë të Shteteve Anëtare të BE-së 

Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), znj. Laura Saro, mori pjesë në mbledhjen e organizuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, me Këshilltarët Tregtarë të Shteteve Anëtare të BE-së. Gjatë kësaj mbledhjeje, znj. Saro mbajti një prezantim gjithëpërfshirës mbi prioritetet dhe programet kryesore të AIDA-s.
Prezantimi i saj përfshiu një pasqyrë të qartë mbi programet aktuale dhe të ardhshme të AIDA-s për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SMEs), promovimin e investimeve dhe eksporteve, si dhe rolin e agjencisë në zbatimin e Agjendës së Reformës së Planit të Rritjes. Gjatë diskutimeve, ajo ndau nevojat kryesore të AIDA-s për mbështetje dhe bashkëpunim, duke theksuar prioritetin për një klimë biznesi më tërheqëse dhe të qëndrueshme.
Në përfundim të prezantimit, përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së mirëpritën qasjen proaktive të AIDA-s gjatë vitit të fundit. Ata ritheksuan gatishmërinë e tyre për të thelluar bashkëpunimin jo vetëm në iniciativat që nxisin investitorët e huaj të angazhohen në Shqipëri, por edhe në mbështetjen e bizneseve shqiptare që kërkojnë të krijojnë partneritete ndërkombëtare.
Kjo mbledhje shërbeu si një platformë e rëndësishme për të forcuar dialogun dhe partneritetin midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, duke u fokusuar në promovimin e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm dhe të përbashkët.

