AIDA nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit me Dhomën e Biznesit të Diasporës Shqiptare
Më datë 14 Shkurt 2020, u nënshkrua memorandum i bashkëpunimit midis Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve dhe Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, për bashkërendimin e punës për shtimin e shërbimeve pranë Dhomës së Biznesit të Diasporës.
Kjo mbështetje do të shtrihet në ofrimin e asistencës dhe konsulencës së nevojshme nga AIDA, investitorëve të diasporës që do t’i drejtohen Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, me të gjitha informacionet e rëndësishme rreth mundësive të investimit në Shqipëri.
Ky memorandum synon vendosjen e një bashkëpunimi frytdhënës ndërmjet palëve, në kuadër të përmirësimit të klimës së investimeve në Shqipëri dhe zhvillimit të bizneseve të të gjitha madhësive për të maksimizuar potencialin e tyre.
AIDA ka shprehur disponueshmërinë ndaj Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, me vendosjen e një punonjësi të AIDA-s brenda zyrave të saj, për të mbarëvajtur komunikimin e vazhdueshëm midis tyre, si dhe për të ndihmuar respektivisht njëra tjetrën në fushat e interesit të përbashkët.