AIDA organizoi në Tiranë Forumin e WB6 për Promovimin e Investimeve, me temë “Investing in the Western Balkans: Opportunities, Trends and Competitiveness”

Ne kuadër të Konferencës së madhe të Investimeve EU-WB6, që do të mbahet në dt. 25-26 Nëntor, sot Tirana mirëpriti Forumin e WB6 për Promovimin e Investimeve
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) organizoi në Tiranë Forumin e WB6 për Promovimin e Investimeve, me temë “Investing in the Western Balkans: Opportunities, Trends and Competitiveness”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të agjencive të promovimit të investimeve nga gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, partnerëve evropianë, trupit diplomatik dhe institucioneve ndërkombëtare. Forumi u zhvillua me mbështetjen e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).
Në fjalën hapëse, Drejtoresha Ekzekutive e AIDA-s, Laura Saro, theksoi se investitorët nuk investojnë thjesht në potencial, por në besimin se ai mund të kthehet në rezultate konkrete.
Perspektiva institucionale u plotësua nga kontributet e Zëvendësministrave të Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Olta Manjani dhe z. Enkelejd Musabelliu, të cilët trajtuan çështje që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe krijimin e kushteve të favorshme për investime.
Prezantimi i expertit Dr. Ricardo Giucci nga German Economic Team, analizoi rolin e investimeve të huaja direkte (FDI) në zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e rajonit, duke sjellë një panoramë të tendencave globale të investimeve dhe mundësive që ato krijojnë për Ballkanin Perëndimor.
Më pas diskutimet u përqendruan te konkurrueshmëria rajonale, integrimi në zinxhirët evropianë të vlerës, shërbimet pas investimit dhe potenciali i sektorëve si energjia e rinovueshme, infrastruktura, TIK-u, turizmi i qëndrueshëm dhe bujqësia moderne.
Një rajon. Gjashtë vende. Një vizion i përbashkët.
BACK TO NEWS