AIDA organizon misionin e parë tregtar në Varshavë, Poloni
AIDA organizon misionin e parë tregtar në Varshavë, Poloni
AIDA, në bashkëpunim me Ambasadën Shqiptare në Poloni dhe PAIH (Polish Trade and Investment Agency), organizoi për herë të parë një mision tregtar në Varshavë, gjatë datave 18 – 19 nëntor 2024. Ky mision kishte si qëllim identifikimin e partnerëve polakë dhe tregjeve të reja për kompanitë shqiptare, duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim ekonomik midis dy vendeve.
Gjatë ditës së parë, PAIH priti delegacionin shqiptar, duke prezantuar agjencinë dhe rolin e saj në mbështetje të biznesit. Përfaqësuesi i AIDA mbajti një prezantim të detajuar mbi mundësitë e investimeve në Shqipëri, potencialin që vendi ofron dhe incentivat tërheqëse për investitorët e huaj. Gjithashtu, u zhvilluan takime të suksesshme B2B mes kompanive shqiptare dhe atyre polake, duke krijuar ura të reja bashkëpunimi. Delegacioni shqiptar përbëhej nga kompani që operojnë në sektorin e bimëve medicinale dhe prodhimit të produkteve të kujdesit të lëkurës.
Ambasadorja e Shqipërisë në Poloni, Sh.S. Znj. Mimoza Halimi, priti delegacionin shqiptar në Ambasadën Shqiptare në Varshavë, duke theksuar rëndësinë e këtij misioni për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Gjatë ditës së dytë, delegacioni shqiptar vizitoi Ptak Warsaw Expo, për t’u njohur nga afër me mundësitë për pjesëmarrje në panairet ndërkombëtare. Po ashtu, ata vizituan parkun shkencor dhe teknologjik Bionanopark dhe zhvilluan takime me përfaqësues të Łódź Special Economic Zone, duke eksploruar mundësitë që ofron kjo zonë për investitorët e huaj. Delegacioni shqiptar u prit gjithashtu nga Dr. Paweł Michalak, Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Poloni, i cili shprehu mbështetjen e tij për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.
Ky mision dëshmoi potencialin e jashtëzakonshëm për zhvillimin e lidhjeve tregtare dhe investimeve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Polonisë, duke hapur horizonte të reja për bashkëpunim ekonomik në sektorë të ndryshëm.