AIDA si Partner Strategjik në AI Business Summit II
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) mori pjesë si Partner Strategjik në AI Business Summit II – AI in Practice, i cili u zhvillua sot në Innovation Hub, Piramida, Tiranë. Ky samit, i organizuar nga Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri (Hellenic Business Association), bëri bashkë përfaqësues të institucioneve publike, sektorit financiar, sipërmarrjes dhe ekspertë të teknologjisë për të diskutuar mbi rolin e Inteligjencës Artificiale në zhvillimin ekonomik dhe transformimin digjital.
AIDA u përfaqësua në këtë aktivitet nga znj. Sara Zotaj, Drejtore e Drejtorisë së Investimeve të Huaja Direkte, e cila mori pjesë në panelin “Building Albania’s AI and Digital Innovation Ecosystem”, ku diskutoi mbi mundësitë për zhvillimin e ekosistemit të inteligjencës artificiale në Shqipëri, forcimin e inovacionit dhe tërheqjen e investimeve në sektorët me potencial të lartë teknologjik.
Gjatë bashkëbisedimit u trajtuan pikat kyçe për ndërtimin e një ekosistemi të qëndrueshëm digjital në Shqipëri:
• Mundësitë e reja për zhvillimin e inovacionit dhe integrimin e AI në praktikat e biznesit.
• Tërheqja e investimeve të huaja direkte në sektorët me potencial të lartë teknologjik.
• Forcimi i bashkëpunimit mes institucioneve publike, akademisë dhe sektorit privat.
Pjesëmarrja e AIDA-s në këtë samit rikonfirmon angazhimin e vazhdueshëm të institucionit për të mbështetur inovacionin dhe për ta promovuar Shqipërinë si një destinacion konkurrues dhe tërheqës për investimet në teknologji.

