Çelet Pavijoni Shqiptar në panairin botëror Expo 2020 Dubai

Hapet sot zyrtarisht Pavijoni Shqiptar në panairin botëror Expo 2020 Dubai. Një organizim ku janë të pranishëm 190 shtete nga gjithë bota.

AIDA, në rolin e institucionit koordinues, e përfaqësuar nga Drejtori Ekzektuiv z. Sokol Nano, në rolin e Komisarit të Përgjithshëm të Shqipërisë, do të menaxhojë dhe administrojë pavijonin shqiptar në panairin botëror Expo 2020 Dubai, përgjatë kohëzgjatjes 6-mujore.

Ambasadori i Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, z. Ermal Dredha ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes së pavijonit të Shqipërisë.

Ceremoninë e nderoi me praninë e tij edhe z.Dritan Tola, ambasadori i Shqipërisë në Francë dhe përfaqësues i Shqipërisë pranë zyrave ndërkombëtare të Ekspozitave (BIE) me seli në Paris.

Gjithashtu, i pranishëm ishte edhe kuratori i pavijonit të Shqipërisë z. Artan Shabani, i cili shpjegoi vendosjen e objekteve dhe tiparet artistike të pavijonit.

Pavijoni i Shqipërisë në Expo 2020 Dubai përmban një karakter më së shumti artistik duke nxjerr në pah vlerat tona në traditë, histori, kulturë, mikpritje dhe duke përçuar një shembull emancipimi, progresi, por edhe një përafrim të mirë ndaj sfidave të reja të kohës, teknologjisë dhe inovacionit.

Pavijoni i Shqipërisë ndodhet në zonën e Lëvizshmërisë, e cila ka në fokus krijimin dhe prezantimin e urave lidhëse fizike dhe virtuale produktive për lëvizjen e njerëzve, mallrave dhe ideve, duke siguruar qasje më të lehtë në tregje, njohuri dhe inovacion.

Pjesëmarrja e vendit tonë në këtë panair, do të shërbejë si një mundësi e rëndësishme për promovimin e Shqipërisë si një destinacion i veçantë dhe i qëndrueshëm turistik, duke shpalosur bukuritë e vendit tonë, kulturën dhe traditën e pasur shqiptare.

Albania a Timeless Trip!

KTHEHU TEK EVENTET