Konferenca Ndërkombëtare ITU Telecom World, 9 – 12 shtator 2019, Budapest, Hungari

Në datat 9 – 12 shtator 2019, do të organizohet Konferenca ITU Telecom World në Budapest, Hungari. ITU Telecom World është një platformë globale e cila ndihmon kompanitë e fushës së Tekonologjisë Informacionit dhe Komunikimit (TIK), të njihen me risitë e fundit në teknologji.

Eventi i cili zhvillohet çdo vit nga ITU Telecom, pjesë e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU), Agjencisë së Kombeve të Bashkuara përgjegjëse për çështjet që lidhen me Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit synon zhvillimin e ekonomive përmes ekspozitës së saj për zgjidhje digjitale, nëpërmjet forumeve të ndryshme për ndarjen e njohurive në këtë fushë si dhe krijimin e njohjeve dhe ndarjes së eksperiencave të pjesëmarrësve.

ITU është agjencia e specializuar e Kombeve të Bashkuara për teknologjitë e informacionit dhe komunikimit (TIK), duke nxitur inovacionin në TIK së bashku me 193 shtete anëtare dhe mbi 700 subjekte të sektorit privat. ITU bashkon përfaqësuesit publikë dhe privatë për të shfaqur zgjidhje inovative, për të bashkëpunuar dhe për t’u angazhuar në dialog të nivelit të lartë për sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet sektori.

Kush mund të marrë pjesë?

ITU Telecom World është eventi global teknologjik për qeveritë, korporatat dhe SME-të. Në këtë event marrin pjesë ministrat e TIK-ut, kompanitë kryesore të kësaj fushe, organizatat dhe industritë të cilat ofrojnë zgjidhje inovative teknologjike, si dhe Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM-të), të cilat sjellin risi në fushën e teknologjisë, drejtuesi të industrisë dhe investitorë të ndryshëm, organizatat joqeveritare, akademikët, konsulentët, mediat dhe vizionarët digjital.

Ftohen të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në këtë event të rëndësishëm.

BACK TO NEWS