
Në vijim të aktivitetit të suksesshëm Match Maker Albania 2025, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) priti në datë 28 Mars në ambientet e saj në një takim zyrtar përfaqësuesit e Enterprise Greece, agjencisë homologe për promovimin e investimeve në Greqi.
Takimi u zhvillua në frymën e bashkëpunimit të ngushtë ekonomik mes dy vendeve, me qëllim ndjekjen e mundësive të identifikuara gjatë eventit Match Maker Albania 2025 dhe forcimin e marrëdhënieve institucionale për nxitjen e investimeve të ndërsjella.

Gjatë diskutimeve, palët ndanë informacion mbi interesin e shtuar të kompanive greke për tregun shqiptar, sektorët prioritarë me potencial për bashkëpunim dhe hapat konkretë për lehtësimin e kontakteve mes bizneseve.

Të dyja agjencitë ranë dakord të vijojnë bashkëpunimin për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta promovuese, si dhe për shkëmbimin e informacionit strategjik mbi sektorët me interes dhe praktikat më të mira në mbështetjen e investimeve.