
Në vijim të takimeve të organizuara në kuadër të fushatës “After Care” në sektorin ICT/BPO, me qëllimin për të adresuar sfidat, diskutuar problematikat dhe gjetur zgjidhje efektive për përmirësimin e mjedisit të punës dhe ofrimit të shërbimeve në këtë sektor, AIDA në bashkëpunim me ABSL, zhvilloi një takim me kompaninë Fast Payroll.

Fast Payroll prezantoi një platformë për automatizimin e listëpagesave, pagesave mujore dhe të dhënave të punonjësve në sistem, me synimin për të rritur efikasitetin në të gjithë procesin e administrimit të pagave.
Kjo zgjidhje teknologjike pritet t’u vijë në ndihmë veçanërisht kompanive me një numër të madh punonjësish, por gjithashtu edhe bizneseve më të vogla që kërkojnë të modernizojnë proçeset e tyre të brendshme.

Fast Payroll përfaqëson një iniciativë për të cilën është punuar intensivisht për më shumë se një vit, me objektivin për të ofruar një produkt sa më funksional tek përdoruesit. Platforma synon të thjeshtojë në mënyrë të ndjeshme shumë prej hapave të mëparshëm në proçesin e pagesës së punonjësve, duke sjellë një qasje më moderne dhe të përshtatur me nevojat e tregut aktual të punës.