Shqipëria në EXPO 2020 Dubai
Dubai do të shndërrohet për gjashtë muaj me rradhë në shtëpinë e miliona vizitorëve dhe bizneseve nga e gjithë bota, të cilët do të vizitojnë ekspozitën botërore “Expo 2020 Dubai”.
Shtetet pjesëmarrëse në EXPO 2020 Dubai që do të mbahet përgjatë periudhës 20 tetor 2020 – 10 prill 2021, do të kenë mundësinë të ekspozojnë arritjet e tyre në fusha të ndryshme.
Vizita në Dubai e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Z. Sokol Nano, në rolin e Komisarit të Përgjithshëm të Shqipërisë në EXPO 2020 Dubai dhe nënshkrimi i kontratës së pjesëmarrjes së Shqipërisë, i hap rrugë përgatitjes së vendit tonë për t’ju bashkuar EXPO 2020 Dubai.
Pjesëmarrja e vendit tonë në një event të këtyre përmasave, do të shërbejë si një mundësi e rëndësishme për promovimin e Shqipërisë si një destinacion të veçantë dhe të qëndrueshëm turistik, duke shpalosur bukuritë e vendit tonë, kulturën dhe traditën e pasur shqiptare.
Një nga objektivat kryesorë do të jetë padyshim promovimi i Shqipërisë si një partner i besuar tregtar dhe i investimeve të huaja në një sërë sektorësh të rëndësishëm për vendin si energjia, turizmi, infrastruktura, bujqësia, etj.
AIDA, së bashku me Ministritë e linjës po përgatisin kalendarin me një sërë aktivitete dhe takime mbi ekonominë, investimet, turizmin, kulturën, arsimin, artin, kulinarinë etj., të cilat do të mbahen gjatë kohëzgjatjes gjashtë mujore të EXPO-s, duke i dhënë gjithashtu një peshë të rëndësishme edhe të rinjve shqiptarë dhe talenteve tona nëpër botë.
“Për më shumë informacion vizitoni linkun: ” Shqiperia-ne-EXPO-2020-Dubai