Sot në ambientet e AIDA-s, u zhvillua takimi i radhës në kuadër të nismës “Investors Support Days”.
Sot në ambientet e AIDA-s, u zhvillua takimi i radhës në kuadër të nismës “Investors Support Days”. Takimi i sotëm u dedikua investitorëve turq në Shqipëri.
Në këtë aktivitet ishin pjesëmarrës përfaqësues nga MUSIAD Albania, AIC (Albanian Investment Coorporation), AKPA (Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive), AKBN (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore), Ambasada Turke si dhe Ministria e Financës.
Znj. Laura Saro, Drejtore Ekzekutive e AIDA-s, shprehu gadishmërinë për të forcuar bashkëpunimin me investitorët turq që operojnë në Shqipëri. Turqia renditet në vendin e 5-të për investimet e huaja në vendin tonë. Znj. Saro prezantoi hapat që janë ndërmarrë në bashkëpunim me Ministritë dhe Agjencitë e ndryshme për të arritur rezultatet e dëshiruara nga të dy palët.
Znj. Elira Kokona, Drejtore Ekzekutive e AIC-së, prezantoi projektet e koorporatës si Expo Albania dhe Durana. Këto dy projekte janë një përforcim i kapacitetit të partneritetit publik dhe privat. Znj. Kokona ftoi investitorët turq që të përfitojnë nga këto iniciativa për të arritur investime të suksesshme.
Më vonë takimi vijoi me diskutim dhe ngritje problematikash nga pjesëmarrësit. Mbështetja dhe ndërmarrja e hapave të mëdha për të tërhequr kapitalin e huaj është ne thelb të gjithë takimeve të ditëve të mbështetjes për investitorët.