Për të realizuar shërbimet financiare të nevojshme për operimin e biznesit tuaj në Shqipëri, mund të përdorni shërbimet e ofruara nga disa Institucione financiare si banka dhe jobanka.
Bankat janë institucione financiare, që ushtrojnë veprimtarinë bankare të pranimit të depozitave monetare ose të fondeve të tjera të ripagueshme nga publiku dhe përdorimin e tyre për dhënie kredie e vendosje në emër dhe për llogari të vet si dhe veprimtari të tjera financiare, sipas përcaktimeve në kuadrin ligjor. Aktualisht në Shqipëri operojnë 11 banka, me kapital të huaj dhe vendas.
Subjektet financiare jobanka janë institucione financiare, që ushtrojnë veprimtaritë financiare, të përcaktuara në kuadrin ligjor dhe rregullativ, të tilla si kredidhënia, mikrokredia, faktoringu, qiraja financiare, shërbimi i pagesave dhe transferimit të parave, emetimi i parasë elektronike, këmbimi valutor, etj. Aktualisht, në Shqipëri operojnë 37 subjekte financiare jobanka.