Tryezë e rrumbullakët me kompanitë e sektorit të Logjistikës dhe Transportit

Tryezë e rrumbullakët me kompanitë e sektorit të Logjistikës dhe Transportit
Ditën e sotme, në ambientet e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), u organizua tryeza e rrumbullakët me kompanitë që operojnë në sektorin e logjistikës dhe transportit. Kjo tryezë e rrumbullakët bëri bashkë Zv. Ministrin e Ministrisë së Ekonomisë, dhe Inovacionit Z. Enkelejd Musabelliu, Zv.Ministrin e Financave Z.Endrit Yzeiraj, Drejtoreshën e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve Znj. Laura Saro, Zëvendës Drejtorin e Autoritetit Portual Durrës Z. Andrea Shllaku, si dhe një sërë përfaqësuesish nga kompanitë më të mëdha që operojnë në vend si: Milsped, Sky Net, IFT-Move, Nexus Park Albania, TRANSALBANIA, Caushi Trans, Gebruder Weiss.
Gjatë tryezës, sektori i logjistikës u identifikua si një sektor me potencial për zhvillime të mëtejshme, duke luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e sektorëve të tjerë dhe në tërheqjen e investimeve. Në këtë kontekst, u diskutua edhe rëndësia e përmirësimit të infrastrukturës detare dhe rrugore, me synimin për të forcuar rolin e Shqipërisë si një nyje rajonale logjistike.
Kompanitë pjesëmarrëse shprehën interes për sigurimin e një fuqie punëtore të kualifikuar, përmirësimin e disa aspekteve procedurale, veçanërisht në lidhje me procedurat administrative, si dhe integrimin e teknologjisë në zinxhirin e furnizimit. Këto çështje u evidentuan si elemente të rëndësishme për rritjen e efikasitetit dhe konkurrueshmërisë së sektorit.
AIDA do të ndjekë në vijim adresimin e propozimeve të ngritura dhe do të organizojë takime me institucionet respektive për të diskutuar mbi këto çështje.
BACK TO NEWS