Fondet e AIDA-s

Fondet 2025

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve hap thirrjen për mbështetjen dhe zhvillimin e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM),  për vitin 2025. AIDA administron  fondin “Për zhvillimin e ndërmarrjeve”, sipas përcaktimeve të nenit 11, të ligjit nr. 43/2022 “Për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme”, i cili financohet nga buxheti i shtetit.

Kjo thirrje mbështet zhvillimin e NMVM-ve duke synuar rritjen e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve, inovacionin/rinovimin e teknologjisë, zhvillimin e artizanatit si dhe mbështetjen e grave sipërmarrëse me qëllim nxitjen drejt eksportit dhe forcimin e aftësive të tyre lidhur me shërbimet dhe produktet për një treg të qëndrueshëm. Kjo thirrje synon mbështetjen e NMVM-ve që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre brenda territorit të vendit.

Projekt -propozimet e paraqitura nga NMVM-të duhet t’i përmbahen kritereve dhe kushteve të veçanta të përfitimit për NMVM për vitin 2025.

Drejtimet e Thirrjes për mbështetjen financiare nga Programi “Mbështje për Zhvillimin e Biznesit” janë:

SKEMA 1:  MBËSHTETJE FINANCIARE PËR SHPENZIME KORRENTE

  • – Vlera e financimit deri në 2.500.000 lekë
  • – Mbulimi i kostove 100%

Kostot e mbulueshme:

  • – Certifikim i standardeve të prodhimit/shërbimit (përfshirë konsulencën përkatëse në fazën përgatitore);
  • – Përmirësim i produktit përmes etiketimit, ambalazhimit;
  • – Trajnime të stafit të ndërmarrjes për rritje kapacitetesh në fusha të tilla si: menaxhimi i teknologjive digjitale/inovatore, rrjetet e prokurimit, shërbime marketingu, zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës së biznesit, sisteme të reja logjistike softwerike apo pajisje të reja, etj, dhe pajisje me certifikatat përkatëse nga subjekte të licencuara për trajnime;
  • – Pjesëmarrje në panaire ndërkombëtare me stenda të gatshme;
  • – Krijimi i aplikacioneve apo platformave në funksion të zhvillimit të proceseve lidhur me tregtinë elektronike/e-commerce, produkteve të reja dhe/ose shërbimeve, për të përmbushur kërkesat e industrisë së tregut në vend dhe rajon për të përmirësuar biznesin, sistemet logjistike etj;
  • – Përgatitja e materialeve promovuese si: banera, fletëpalosje, katalogë, broshura për përmirësim të imazhit të NMVM-ve (jo më shumë se 20% e kostos totale të projektit).

 

 

SKEMA 2:  MBËSHTETJE FINANCIARE PËR SHPENZIME KAPITALE

2.1. PROJEKTE PËR KONKURRUESHMËRINË

  • – Vlera e financimit deri në 1,500,000 lekë
  • – Mbulimi i kostove 100%

Kostot e mbulueshme:

  • – Blerje makinerive që ndikojnë në rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e cilësisë së produktit

2.2. PROJEKTE PËR ARTIZANATIN

  • – Vlera e financimit deri në 1.000,000 lekë
  • – Mbulimi i kostove 100%

Kostot e mbulueshme:

  • – Blerje makinerive tradicionale dhe/ose teknologjike për të përmirësuar kushtet e punës për biznesin
  • – Blerje e aplikacioneve dhe/ose programeve të e-commerce

 

Thirrja për projekt-propozime do të qëndrojë e hapur 30 (tridhjetë) ditë kalendarike nga data e publikimit të saj, 30 janar-28 shkurt 2025, ora 14:00.

  1. Projekt – propozimet e paraqitura nga NMVM-Të duhet të realizohen brenda vitit buxhetor që do të thotë se aktivitetet e propozuara duhet të zhvillohen brenda muajit nëntor 2025

Aplikimi dhe dorëzimi i dokumentave do të kryhet nëpërmjet adresës elektronike:   ndermarrje@aida.gov.al

Kriteret dhe kushtet, formularët dhe dokumentacioni i nevojshëm për aplikim, janë të përcaktuara në:

  • – Ligjin nr. 43/2022, “Për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme”;
  • – Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 29.07.2022, “Për krijimin, funksionimin e anëtarëve të Bordit Vlerësues të Kërkesave, si dhe procedurën konkurruese për dhënien e granteve për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesmë”, i ndryshuar me VKM nr. 407, datë 19.06.2024;
  • – Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 26, datë 10.01.2025 “Për përcaktimin e masës së përfitimit, kritereve dhe kushteve të veçanta të përfitimit për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme për vitin 2025”.
  • – Udhëzimin nr. 24, datë 12.07.2022, “Për mënyrën e llogaritjes së të dhënave dhe modelin e deklarimit të kategorisë së ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme ”.

Nuk përfitojnë nga ky fond ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme të cilat kanë përftituar burime financimi nga donatorë apo institucione financiare kombëtare dhe ndërkombëtare për të njëjtat zëra apo aktivitete të lejuara nga këto projekte.

  • Formularin e kërkesës të plotësuar (shkarkohet nga faqja web e AIDA-s)
  • Formularin e buxhetit (shkarkohet nga faqja web e AIDA-s)
  • Certifikatën e regjistrimit në regjistrin tregtar
  • Ekstraktin Historik të regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) me status aktiv;
  • Deklaratën për kategorinë e NMVM-ve, në përputhje me parashikimin e dhënë në nenin 5 të ligjit nr. 43/2022 (shkarkohet nga faqja web e AIDA-s);
  • Vërtetim që subjekti ka paguar të gjitha detyrimet tatimore, në momentin e dorëzimit të kërkesës për përfitim fondi, të shkarkuar nga E-Albania;
  • Vërtetim që subjekti ka paguar të gjitha detyrimet e detyrueshme shëndetësore dhe shoqërore, në momentin e dorëzimit të kërkesës për përfitim fondi, të shkarkuar nga e-Albania.
  • Vërtetim nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, që ka paguar detyrimet doganore në rastin kur NMVM është eksportuese, në momentin e dorëzimit të kërkesës për përfitim fondi, të shkarkuar nga e-Albania
  • Pasqyrat financiare të vitit të fundit të ushtrimit të aktivitetit të certifikuara nga organet tatimore dhe/ose Formulari i deklarimit të të ardhurave, i shkarkuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
  • Dëshmi Penaliteti të administratorit të ndërmarrjes.
  • Kopje të ID të administratorit të NMVM-së ose prokurë përfaqësimi dhe ID e përfaqësuesit në rast se aplikuesi nuk është administratori i NMVM-së.
  • Çdo dokument tjetër shoqërues që në vlerësimin e aplikuesit mbështet aplikimin e tij/saj.

 

Dokumentat e aplikimit duhet të dorëzohen të firmosura dhe vulosura nga aplikuesi, origjinal ose kopje të njehsuar me origjinalin dhe të kenë afat vlefshmërie jo më shumë se 30 ditë nga data e aplikimit për fonde.

Disbursimi i fondit do të bëhet me dy këste në përputhje me përcaktimet e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539/2022, të ndryshuar.

Gjithashtu shkarko dhe plotëso dokumentat në linkun:

Për më tepër informacion rreth mënyrës së aplikimit shfletoni broshurën

Social Media

Kerko360.al