Tryezë e rrumbullakët me prodhuesit e produkteve “Made in Albania” të sektorit “Lëkurë-Këpucë”

Sot, në ambientet e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), u zhvillua tryeza e rrumbullakët me prodhuesit e produkteve “Made in Albania” të sektorit “Lëkurë-Këpucë”.

Aktiviteti u përshëndet nga Drejtori Ekzekutiv i AIDA-s, Znj. Laura Saro, e cila prezantoi shërbimet e agjencisë në ndihmë të NMVM-ve dhe masat e tjera që AIDA synon të ndërmarrë në mbështetje të sektorit lëkurë-këpucës. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin gjithashtu edhe dy Zv. Ministrat e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Z. Endrit Yzeiraj dhe Z. Sokol Duma, përfaqësues të shoqatës “Pro Eksport Albania”, përfaqësues të Swiss Import Promotion Programme #SIPPO, si dhe kompani prodhuese të këtij sektori.

Diskutimet e zhvilluara në këtë tryezë kishin në fokus identifikimin dhe adresimin e nevojave të këtij sektori, që lidhen me promovimin e tij dhe produkteve në tregjet e huaja përmes bashkëpunimit me ambasadat shqiptare jashtë vendit, përpunimin e lëndës së parë/lëkurës në vend me qëllim rritjen e vlerës së shtuar në eksport, mbështetjen përmes aplikimit të modelit “Cassa di Integrazione”, edhe në Shqipëri, gjatë situatave të vështira financiare, mbështetje financiare përmes fondeve të dedikuara për sektorin e lëkurë-këpucës, etj.

Rekomandimet dhe sugjerimet që dolën nga ky takim, do të adresohen edhe pranë institucioneve të tjera përgjegjëse me qëllim mbështetjen dhe zhvillimin e këtij sektori me potencal të lartë në ekonominë vendase.

 

 

BACK TO NEWS