AIDA, mori pjesë në Vizitën Studimore për Promovimin e Investimeve, që u mbajt në Gdansk dhe Varshavë, Poloni

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), mori pjesë në Vizitën Studimore për Promovimin e Investimeve, që u mbajt në Gdansk dhe Varshavë, Poloni, përgjatë datave 24-28 qershor 2024. Ky aktivitet u organizua dhe financua nga Projekti i USAID-it për Zhvillimin Ekonomik, Qeverisjen dhe Rritjen e Ndërmarrjeve (EDGE) dhe bëri bashkë Agjencitë e Promovimit të Investimeve nga Shqipëria, Armenia, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Uzbekistani, Kirgistani dhe Kazakistani.
Qëllimi i vizitës ishte njohja me praktikat më të mira në krijimin dhe zbatimin e një mjedisi të favorshëm për investimet e huaja direkte, ku pjesëmarrësit u njohën nga afër me rastin e Polonisë, si një model suksesi në tërheqjen e IHD-ve. Në kuadër të vizitës, u zhvilluan një sërë takimesh, workshop-e, prezantime, si dhe vizita nga afër, për t’u njohur me raste konkrete të zbatimit praktik të investimeve.
Përgjatë ditëve të vizitës, agjencitë u pritën nga Invest in Pomerania dhe Polish Investment and Trade Agency (PAIH), të cilët ndanë me të pranishmit arsyet e suksesit dhe praktikat e ndjekura nga secila agjenci në tërheqjen e investimeve në rajonin e Pomeranias dhe në shtetin e Polonisë. Gjithashtu, u vizituan nga afër Zonat e Veçanta Ekonomike dhe Parqet Teknologjike, si dhe kompania Northvolt.
Pjesë e rëndësishme e kësaj vizite, ishin dhe prezantimet e rasteve studimore nga vetë drejtuesit e lartë të kompanive që kanë vendosur të operojnë në Pomerania, si Boeing, Wipro, State Street, Intel dhe HIAB, si dhe në Poloni, si Amazon, SoftServe, VISA, JLL, KMD dhe Colller. Përfaqësuesit e AIDA-s patën mundësinë të takonin nga afër drejtuesit e kompanive, duke prezantuar Shqipërinë si një destinacion ku mund të zhvillojnë biznesin e tyre.
Në përfundim të vizitës, agjencitë homologe pjesëmarrëse ndanë dëshirën për të zhvilluar bashkëpunime të mëtejshme me AIDA-n dhe kompanitë pjesëmarrëse shfaqën interesin për ta konsideruar Shqipërinë si një destinacion investimi. Përfaqësuesit e AIDA-s shprehën gatishmërinë për të asistuar kompanitë në vlerësimin e Shqipërisë dhe gjithashtu për të bashkëpunuar me homologët. 🇦🇱🤝🌍
BACK TO NEWS