Agjencitë e Promovimit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor bashkohen në një forum rajonal në Tiranë
Agjencitë e Promovimit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor bashkohen në një forum rajonal në Tiranë 
Agjencitë e Promovimit të Investimeve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB6), me një iniciativë të përbashkët rajonale, do të organizojnë më 24 nëntor 2026 në Tiranë, Forumin e Promovimit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WB6 Investment Promotion Forum), në kuadër të konferencës ndërkombëtare “EU WB6 New Frontier Investment Conference”, që zhvillohet më 25–26 nëntor.
Me temë “Investing in the Western Balkans: Opportunities, Trends and Competitiveness”, aktiviteti do të krijojë një hapësirë dialogu mes agjencive të promovimit të investimeve të rajonit dhe homologëve të tyre europianë, me fokus tendencat globale të investimeve të huaja direkte, faktorët që ndikojnë në vendimmarrjen e investitorëve dhe konkurrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor si destinacion investimi.
Kjo iniciativë e përbashkët synon të forcojë dialogun dhe bashkëpunimin mes agjencive rajonale dhe atyre europiane, në funksion të një promovimi më të koordinuar të potencialit të investimeve në rajon.

