AIDA mbështet kompanitë shqiptare për të marrë pjesë për herë të parë në panairin BIOFACH
Në datat 12-15 Shkurt, po zhvillohet në Nuremberg, Gjermani panairi BIOFACH 2020, i bimëve medicinale dhe ushqimit organik. AIDA (Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve), mundësoi që këtë vit 5 – kompani shqiptare (Albanian Herb, AlbFruit 2005, Bidaj, Bioalba Group, BioBes), të kenë stendë të dedikuar në pavionin e përbashkët të Shqipërisë.
BIOFACH është një ngjarje e rëndësishme biznesi në sektorin e bimëve medicinale dhe ushqimit organik, ku këtë vit marrin pjesë rreth 4000 mijë ekspozues nga e gjithë bota. Ky event zhvillohet për të 30-ën herë radhazi dhe shihet si një histori suksesi e jashtëzakonshme. BIOFACH pritet të krijojë mundësi për bashkëpunime dhe shtrirje në tregjet e huaja, promovimin e Shqipërisë si destinacion me potencial shumë të madh zhvillimi për bimët medicinale dhe prodhimet organike, por edhe si një mundësi për lidhjen e kontratave të reja mes kompanive pjesëmarrëse.
AIDA në këtë organizim bashkëpunoi me partnerët SIPPO (Swiss Import Promotion Programme) dhe Risi Albania (një projekt i Swiss Agency for Development and Cooperation SDC), të cilat asistuan stafin e AIDA-s dhe 5- kompanitë pjesëmarrëse në këtë panair. AIDA dhe SIPPO shërbyen si pika lidhëse ndërmjet kompanive, vizitorëve dhe firmave të huaja potenciale për investime në sektorin bujqësisë dhe kryesisht atë të bimëve medicinale dhe aromatike. AIDA, në bashkëpunim me Risi në kuadër të pjesëmarrjes në këtë panair, përgatitën broshurën “Enjoy Bio Albania”, e cila përmban informacion mbi zhvillimin e sektorit të bimëve medicinale dhe aromatike në Shqipëri, si edhe informacion të përgjithshëm për 5-kompanitë pjesëmarrëse në panair.
Kjo broshurë u prezantua për vizitorët dhe të interesuarit edhe në formën e një kartëvizite nga ku broshura aksesohet direkt në faqen zyrtare të AIDA-s, duke skanuar QR kod. Në linkun në vijim gjendet broshura e përgatitur për këtë panair: http://aida.gov.al/sektori-i-bimeve-aromatike-dhe-medicina…/
AIDA nëpërmjet pjesëmarrjes në këtë panair synon promovimin e biznesit shqiptar dhe sektorit të bimëve medicinale dhe aromatike, mundësimin e takimeve me kompanitë e interesuara për partneritet dhe mbështetjen e kompanive shqiptare me logjistikë për takimet e planifikuara, rritjen e eksportit në këtë sektor, tërheqjen e investitorëve të huaj për investime në vend dhe promovimin e Shqipërisë.