AIDA, me mbështetjen e Regional Cooperation Council (RCC) dhe World Bank Group (WBG) zhvilloi një fushatë outreach me fokus sektorit e turizmit në Spanjë
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), me mbështetjen e Regional Cooperation Council (RCC) dhe World Bank Group (WBG) zhvilloi një fushatë outreach me fokus sektorit e turizmit në Spanjë përgjatë datave 18-20 Qershor 2024.
Në kuadër të tërheqjes së brandeve elitare europiane në tregun vendas, AIDA zhvilloi takime fizike me disa prej grupeve hoteliere më në zë spanjolle, duke përfshirë Barcelo Group, Catalonia Hotels dhe Eurostar Hotels by Groupo Hotusa për të prezantuar ofertën e qeverisë shqiptare, incentivat fiskale të sektorit të turizmit, avantazhet konkuruese të Shqipërisë etj.
Gjatë takimeve u konstatua një interes i lartë për t’u bërë pjesë e tregut shqiptar, dhe se vemendja e grupeve hoteliere më të mëdha spanjolle është të zhvillojnë struktura elitare në bregdetin shqiptar, por pa përjashtuar dhe vendosjen në qytetet më të mëdha në vend që ofrojnë turizëm 12-mujor si Tirana, Durrësi, Vlora etj.
Krahas bukurive natyrore dhe incentivave konkuruese fiskale, grupet hoteliere vlerësuan dhe përmirësimin e infrastrukturës vendase si dhe ndërlidhjet frekuente ajrore mes dy vendeve si një vlerë të shtuar në ofertën e Shqipërisë për të investuar në turizëm.
Grupet hoteliere vlerësuan gjithashtu nismën dhe punën e AIDA-s, e cila tanimë do të jetë një bashkëudhëtar në rrugëtimin e tyre drejt Shqipërisë. Përfaqësues të grupeve hoteliere do të vizitojnë personalisht Shqipërinë përgjatë periudhës Korrik- Shtator 2024, ku do të asistohen dhe nga AIDA.
Në përfundim të këtyre takimeve, AIDA zhvilloi gjithashtu një takim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Madrid dhe me Dhomën e Ekonomisë Shqipëri – Spanjë ku krahas diskutimeve mbi interesin e shtuar drejt Shqipërisë si një destinacion për të investuar në sektorin e turizmit dhe jo vetëm, u vlerësua dhe nevoja për një koordinim të shtuar dhe sa më efiçent të aktorëve publik dhe privatë në funksion të realizimit të objektivit të përbashkët të fuqizimit të ekonomisë shqiptare.