AIDA pjesë aktive e Forumit të Biznesit “Shqipëri – Kroaci” për nxitjen e investimeve dhe bashkëpunimeve dypalëshe

U mbajt sot, Forumi i Biznesit “Shqipëri – Kroaci” në Hotel Tirana Internacional, e organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqiptare në bashkëpunim me Dhomën e Trëgtisë dhe Ekonomisë Kroate. Pjesë aktive e eventit ishin dhe përfaqësues të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), të cilët u prezantuan kompanive pjesëmarrëse misionin dhe rolin në ndihmë të investitorëve të huaj.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues të rëndësishëm të institucioneve shqiptare dhe atyre kroate të cilët mbajtën fjalën e tyre përshëndetëse dhe prezantuese. Pjesë e këtij paneli ishin Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Znj. Anila Denaj, Ambasadorja e Republikës së Kroacisë në Shqipëri, Znj. Sanja Bujas, Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Z. Eduard Shalsi, Ministri i Ekonomisë, Sipërmarrjes dhe Zejtarisë, Z. Darko Horvat, Zv/Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Z. Etjen Xhafaj, Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Z. Nikolin Jaka, Drejtori i Koordinimit pranë AIDAs, Z. Genc Çeli, Zv/President i Dhomës së Ekonomisë Kroate, Z. Ivan Barbarić dhe Kryetarja e CIS dhe Divizionit të Tregtisë CEFTA, Znj. Suzana Knezević.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Znj. Anila Denaj, në fjalën e saj bëri një analizë të nivelit të tanishëm të bashkëpunimit mes dy vendeve. Ministrja theksoi elemente të politikës shqiptare që ndikojnë në një klimë të mirë të biznesit që janë në linjë me politikat e BE-së. Në vijim Znj. Denaj, përmendi lehtësitë fiskale të vendit tonë dhe mundësinë e një projekt marrëveshje në sektorët kyç, duke ftuar kompanitë kroate të bashkëpunojnë me bizneset shiptare.

Një prezantim për rolin e AIDA-s për përkrahjen dhe zhvillimin e bizneseve e mbajti edhe Drejtori i Koordinimit në AIDA, Z. Genc Çeli. Z. Çeli i njohu të pranishmit me avantazhet që ofron vendi ynë, duke vijuar me prezantimin e sektorëve stategjikë dhe të dhënat mbi investimet e huaja në Shqipëri. Z. Çeli theksoi dhe lehtësirat që ofron ligji shqiptar i “Investimeve të Huaja” dhe avantazhet se përse duhet një kompani e huaj të investojë në Shqipëri.

Forumi vazhdoi me sesionin e takimeve B2B (Business to Business), që kanë si qëllim krijimin e kontakteve të reja bahkëpunuese ndërmjet bizneseve pjesëmarrëse shqiptare dhe kroate. Për këto takime pati një interes të veçantë nga të dyja palët pjesëmarrëse në forum.

BACK TO NEWS