AIDA zhvillon INFO DAY me bizneset në qytetin e Gjirokastrës
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), në kuadër të informimit të bizneseve vendase u ndal ditën e sotme në qytetin e Gjirokastrës për të mbajtur takimin informues me bizneset e këtij qarku.
Takimi u hap nga Znj. Dilfirus Vrioni, drejtore e Drejtorisë Marketing, Kërkim dhe Analizë pranë AIDA-s me një prezantim të agjencisë, përkrahjen që ajo ofron për bizneset shqiptare, mundësitë për ndërlidhjen e kompanive nëpërmjet platformës B2B në faqen web të AIDA-s, gjithashtu dhe faktin se agjencia është e hapur ndaj çdo komunikimi të jashtëm me qëllim lehtësimin e shërbimeve dhe adresimin e problematikave të hasura, por edhe ndaj kërkesave të ndryshme si pjesëmarrja në panaire.
Znj. Albana Zykaj, përgjegjëse e Sektorit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) pranë AIDA-s komunikoi për pjesëmarrësit informacionin lidhur me skemat e granteve të cilat AIDA ofron për t’iu ardhur në ndihmë bizneseve.
Pergjatë takimit, përfaqësuesit nga bizneset pjesëmarrëse ngriten çështje dhe problematika konkrete të hasura në punën e tyre të përditshme veçanërisht në sektorin e artizanatit dhe turizmit. Nga pjesëmarrësit u kërkua vëmendje dhe investime të mëtejshme për qarkun. Bizneset kërkuan trajnime, mundësi inovative për promovimin e bizneseve te tyre, asistencë nga AIDA për aplikimin e fondeve, rritjen e kapaciteteve për shitjet online etj. Nga Z. Maksim Hoxha, Kryetar i Dhomës së Tregëtisë së Qarkut Gjirokastër u shpreh vullneti që ky qark të përfaqësohet në panaire ndërkombëtare turistike, pikë e cila do të ndiqet nga stafi i AIDA-s. U diskutua mbi promovimin e produkteve “Made in Albania”, gjithashtu për zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja në mbështetje të biznesit shqiptar.
Ne vijim të takimit, pjesëmarrësve ju prezantua dhe Rrjeti Europian i Ndërmarrjeve (EEN Albania) dhe shërbimet që rrjeti ofron për NVM-të shqiptare me synim rritjen e aftësisë konkurruese dhe inovative të tyre në tregun Europian e më gjerë.
Këto takime të ndërmarra nga AIDA kanë si qëllim final përmirësimin e klimës së të bërit biznes në Shqipëri dhe promovimin e produkteve shqiptare nëpërmjet përkrahjes dhe përmirësimit të proaktivitetit ndaj tyre.
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve
24 janar 2020