Iniciativa “EUvsVirus Hackathon” për ide inovative në kapërcimin e sfidave të shkaktuara nga COVID-19
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dëshiron t’ju njoftojë rreth iniciativës së re të Komisionit Evropian, të quajtur “EUvsVirus Hackathon”. Komisioni Evropian në bashkëpunim të ngushtë me vendet anëtare të BE–së, nëpërmjet kësaj iniciative synon të bashkojë individët, shoqërinë civile, politikën, partnerët dhe blerësit në të gjithë Evropën për të gjetur zgjidhje inovative për situatën në të cilën ndodhemi, të shkaktuar nga virusi COVID-19. Idetë inovative do të jenë të fokusuara në fushën e shëndetit, mjekësisë, biznesit, kohezionit social, mbrojtjes së grupeve vulnerabël dhe arsimit.
Iniciativa “EUvsVirus Hackathon” do të adresojë afërsisht 20 sfida të menjëhershme ndaj koronavirus si: prodhimi i shpejtë i pajisjeve në ndihmë të situatës, krijimi dhe përforcimi i aftësive të prodhimit, transferimi i njohurive dhe zgjidhjeve nga një vend në tjetrin, për t’u zhvilluar më shpejt dhe vendosur në të gjithë tregun e BE-së.
Kjo iniciativë do të zgjasë nga data 24-26 prill dhe më pas idetë më të mira do të promovohen përmes platformës komunitare të Këshillit Evropian të Inovacionit (EIC).
Nëse dëshironi të zhvilloni një ide së bashku me evropianët e tjerë dhe të mbështesni zbatimin e tyre, lutemi të regjistroheni në “EUvsVirus Hackathon” dhe kontribuoni si pjesëmarrës individual, mentor ose një organizatë partnere, për një sfidë tematike.
Për më shumë informacion rreth iniciativës “EUvsVirus Hackathon” dhe gjetjes së ideve të ndryshme për të kontribuar vizitoni linkun: https://euvsvirus.org/
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve
Tiranë, 24.04.2020