Aplikim për Grante
Home » NMVM & Eksporte » NMVM » Aplikim për Grante
Si aplikohet për grante pranë AIDA-s?
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve hap thirrjen për mbështetjen dhe zhvillimin e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM), për vitin 2024. AIDA administron fondin “Për zhvillimin e ndërmarrjeve”, sipas përcaktimeve të nenit 11, shkronja a, të ligjit nr. 43/2022 “Për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme”, i cili financohet nga buxheti i shtetit.
Kjo thirrje mbështet zhvillimin e NMVM-ve duke synuar rritjen e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve, inovacionin/rinovimin e teknologjisë, zhvillimin e artizanatit si dhe mbështetjen e grave sipërmarrëse me qëllim nxitjen drejt eksportit dhe forcimin e aftësive të tyre lidhur me shërbimet dhe produktet për një treg të qëndrueshëm. Kjo thirrje synon mbështetjen e NMVM-ve që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre brenda territorit të vendit.
Projekt -propozimet e paraqitura nga NMVM-të duhet t’i përmbahen kritereve dhe kushteve të veçanta të përfitimit për NMVM për vitin 2024.
Drejtimet e Thirrjes për mbështetjen financiare nga Programi “Mbështje për Zhvillimin e Biznesit” janë:
SKEMA 1: MBËSHTETJE FINANCIARE PËR ZHVILLIMIN E AKTIVITETEVE
- Vlera e financimit deri në 2.500.000 lekë
- Mbulimi i kostove 100%
Kostot e mbulueshme:
- Çertifikimi i standardeve të prodhimit/shërbimit (përfshirë dhe konsulencën përkatëse)
- Pjesëmarrje në trajnime për rritje kapacitetesh
- Pjesëmarrje në panaire ndërkombëtare me stenda të gatshme
- Promovimi i markës përmes digjitalizimit
- Krijimi dhe ndërtimi i aplikacioneve dhe/ose platformave për e-Commerce
- Përgatitje të materialeve promovuese (jo më shumë se 20% e vlerës totale të projektit)
SKEMA 2: MBËSHTETJE FINANCIARE PËR INVESTIME
2.1. PROJEKTE PËR INOVACIONIN
- Vlera e financimit deri në 1,000,000 lekë
- Mbulimi i kostove 100%
Kostot e mbulueshme:
- Zhvillim/përmirësim teknologjik i produktit
- Blerje aplikacioni për shërbim klienti apo menaxhim të dhënash
- Blerje aplikacionesh dhe/ose programe apo paketa të ndryshme kompjuterike
2.2. PROJEKTE PËR KONKURRUESHMËRINË
- Vlera e financimit deri në 1,500,000 lekë
- Mbulimi i kostove 100%
Kostot e mbulueshme:
- Blerje makinerive dhe/ose pajisjeve të punës që ndikojnë në rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e cilësisë së produktit
2.3. PROJEKTE PËR START-UP
- Vlera e financimit deri në 800,000 lekë
- Mbulimi i kostove 100%
Kostot e mbulueshme:
- Blerje makinerive dhe/ose pajisjeve të punës
- Blerje e aplikacioneve dhe/ose programeve të e-commerce
2.3. PROJEKTE PËR ARTIZANATIN
- Vlera e financimit deri në 800,000 lekë
- Mbulimi i kostove 100%
Kostot e mbulueshme:
- Blerje makinerive dhe/ose pajisjeve të punës tradicionale dhe/ose teknologjike
- Blerje e aplikacioneve dhe/ose programeve të e-commerce
Thirrja për projekt-propozime do të qëndrojë e hapur 30 (tridhjetë) ditë kalendarike nga data e publikimit të saj, data 12 korrik 2024
Projekt – propozimet e paraqitura nga NMVM-Të duhet të realizohen brenda vitit buxhetor që do të thotë se aktivitetet e propozuara duhet të zhvillohen brenda periudhës Tetor – Dhjetor 2024
VËMENDJE: Aplikantët do të paraqesin VETEM 1(një) projekt – propozim në një nga drejtimet e thirrjeve.
Aplikimi dhe dorëzimi i dokumentave do të kryhet nëpërmjet adresës elektronike: ndermarrje@aida.gov.al
Përgjegjësitë e Përfituesve
- Respektojnë në mënyrë rigoroze dhe integrale të gjitha deklaratat e shprehura dhe angazhimet e përfshira në formularin e aplikimit.
- Vënë në dispozicion të AIDA çdo informacion që lidhet me zbatimin e projektit;
- Paraqesin te Njësia Manaxhuese e Grantit të AIDA-s një raport në lidhje me përfundimin e projektit, faturat origjinale për shpenzimet, si dhe çdo dokument të nevojshëm për të bërë të mundur kryerjen e pagesës;
- Pranojnë çdo lloj monitorimi, vlerësimi dhe/apo auditimi për të cilat projekti i aprovuar mund të bëhet objekt, duke siguruar të gjithë informacionin dhe dokumentacionin e kërkuar, pasi të jenë njoftuar 48 orë para.
- Përfundojnë projektin brenda kohës së parashikuar në marrëveshje.
Konfidencialiteti
Në bazë të ligjit nr.9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” i ndryshuar, i gjithë informacioni i dhënë nga aplikuesit për qëllim të përfitimit nga granti, veçanërisht e gjithë korrespondenca e shkëmbyer është konfidenciale dhe nuk do të zbulohet.
AIDA do të ruajë në mënyrë konfidenciale informacionet e marra nga ndërmarrjet.
Asnjë e dhënë e marrë për AIDA nga ana e aplikuesve nuk do t’u bëhet e ditur palëve të treta pa miratimin e tyre