Qeveria Shqiptare mbështetje strategjike për bujqësinë

“Agro Iliria Group” është bërë subjekt përfitues i statusit të investitorit strategjik. Drejtori Ekzekutiv i AIDA-s, Z. Sokol Nano, në cilësinë e Sekretarit të Komitetit të Investimeve Strategjike (KIS), i dorëzoi personalisht investitorëve Z. Shpëtim Oseku dhe Z. Ilir Trebicka Vendimin e K.I.S. Nr. 6/9, datë 24.06.2020 në plantacionet me shegë dhe gojiberry në Karavasta. Z. Nano theksoi se sot Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për investime të tilla.

Për këtë ai siguroi Z. Oseku dhe Z. Trebicka se AIDA, është në dispozicion të përmbushjes së plotë të funksioneve të saj përballë organeve shtetërore dhe investitorit, e pakursyer për të realizuar sa më mirë në afatet e parashikuara një prej projekteve më inovative në fushën e bujqësisë.

Projekti inovativ dhe ambicioz gjendet në zonën e Karavastasë dhe do të shtrihet në sipërfaqe toke prej 496.6 ha, nga 870 ha të miratuara në parim me vendimin e mëparshëm Nr. 6/4, datë 19.04.2018 të Komitetit të Investimeve Strategjike. Zona do të kultivohet me shegë, finger lime, kivi, rrush edhe dardhë.

Të gjitha produktet do të mbajnë vulën e produktit shqiptar. Investimi do të plotësohet në vijim edhe me profil agroturizmi, pas rishikimit të PDZRK (Planit të detajuar për zona me rëndësi kombëtare) Karavasta dhe përcaktimit të kritereve teknike dhe mjedisore nga institucionet kompetente, duke e shndërruar zonën në një destinacion ku gjendet jo vetëm produkti por dhe shërbimi vendas.

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve

Tiranë, 16.07.2020

BACK TO NEWS