Shërbimi Aftercare pranë AIDA-s realizon fushatën në sektorin e turizmit

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), përfaqësuar nga stafi i sektorit të Investimeve & Aftercare, ka përmbyllur fushatën e takimeve me biznesin për zhvillimin e mëtejshëm të shërbimeve të sektorit Aftercare, me fokus sektorin e turizmit.

Qëllimi i kesaj fushate është forcimi i këtij sektori, përmirësimi i shërbimeve që ofron agjencia dhe krijimi i një zinxhiri komunikimi më të ngushtë mes AIDA-s, Bashkive, Institucioneve të Edukimit & Kërkimit, si dhe investitorëve për të forcuar bashkëpunimin mes tyre, përkrahjen e investimeve ekzistuese, nxitjen e ri-investimeve dhe promovimin e resurseve lokale/kombëtare.

Duke marrë parasysh bashkitë të cilat paraqesin një interes në zhvillim për këtë sektor, si dhe duke pasur si qëllim arritjen e një bashkëpunimi sa më të frytshëm, bashkitë e përzgjedhura për targetim të biznesve që operojnë në këtë sektor kanë qenë: Bashkia Lezhë, Bashkia Durrës, Bashkia Vlorë.

Duke i konsideruar bizneset si aktorët më të rëndësishëm në paraqitjen e situatës aktuale të biznesit, fushata konsistoi në  targetimin e disa biznesve për secilën nga bashkitë e sipërpërmendura, të cilët operojnë në fushën e turizmit. Në vijim janë realizuar takime nga afër me këto biznese me fokus prezantimin e shërbimeve të AIDA-s, diskutimin e nevojave apo problematikave të ndryshme që kanë hasur dhe për të cilat kërkojnë mbështetje, planet e tyre të zhvillimit, lehtësimin e raportit me qeverisjen lokale në ndihmë të punësimit dhe shfrytëzimit të resurseve lokale.

Bizneset e vizituara, në përgjithësi u shprehën të kënaqura më ecurinë e veprimtarisë së tyre dhe me suportin ndaj këtij sektori duke përcjellë pritshmëritë e larta që kanë për këtë sezon turistik. Gjatë të gjitha takimeve kanë qenë prezentë përfaqësues nga stafi i bashkive respektive. Raporti me qeverisjen lokale ka qenë i kënaqshëm dhe biznesi i shprehu stafit të bashkisë sugjerimet mbi çështjet e ndryshme që kishin nevojë për përmirësim.

Biznesi përcolli edhe disa sugjerime mbi qeverisjen qëndrore kryesisht lidhur me forcën punëtore dhe nevojën për sa më shumë promovim të këtij sektori duke parë potencialet e mëdha që ka për zhvillim.

 

BACK TO NEWS